Futboll/ Olgun Aydin përshëndetet, FC Shkupi me sponsor të ri!

Olgun Aydin mbrëmë është përshëndetur edhe zyrtarisht me stafin drejtues të FC Shkupit. Këtë e ka konfirmuar edhe vet klubi duke publikuar fotografi nga darka e lamtumirës që tashmë ish presidenti kishte organizuar.

Para se FC Shkupi në rrjetet sociale ta publikojë fotografinë, Klan Maqedoni, raportoi se Aydin ka hequr dorë nga Shkupi dhe se ekipin nga Çairi e ka marrë sponsori që vepron në Gjermani.

Sipas burimeve tona, edhe sponsori i ri që vjen nga Gjermania është me origjinë turke.

E gjithë kjo ndodhi brenda 1 jave nga kur tashmë ish presidenti doli me reagim se Shkupi nuk do të merr pjesë në garat e ligës së parë duke parë padrejtësitë që i bëhen skuadrës përmes referimeve skandaloze.

Klan Maqedoni rikujton një pjesë të reagimit që Aydin kishte pasur menjëherë pas ndeshjes me Vardarin.

“Ky turp, këto lojëra të fëlliqura tashmë i kanë kaluar të gjithë kufijtë, ndaj ju njoftojmë se neve nuk do të jemi më pjesë e kësaj loje të pistë. Me këtë rast duam ti njoftojmë të gjithë se unë dhe klubi i futbollit FC Shkupi nuk ekzistojmë më në këtë ligë. Ne nuk do të jemi më pjesë e kësaj loje të pistë, në këtë shit-blerje, dhe se nuk do të thithim të njëjtin ajr me këta të shitur”, thuhej në reagimin e tij.

E mediat sportive dje raportuan se nga ndeshja me Vardarin, FC Shkupi ia ka vënë “drynin” stadiumit dhe nuk ka kryer as stërvitje po as përgatitje bazike, e duke parë gjendjen në të cilën ndodhej Klubi, mbledhje për t`i dalë në ndihmë kanë mbajtur edhe tifo grupi “Shvercerat”.

Kujtojmë, në disa raste Aydin kishte premtuar ndërtimin e akademisë së Shkupit, por nga ajo mbetëm vetëm fjalët dhe një projekt i tillë gjigant siç edhe ishte paralajmëruar nuk u realizua kurrë.

Nën drejtimit e Aydin Shkupi arriti që të shpallet një herë kampion. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share