Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka zhvilluar një thirrje të rrallë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, të premten, ku i ka bërë thirrje këtij të fundit që të fillojë bisedimet me Ukrainën për të arritur një “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Sipas një deklarate nga Qeveria gjermane, biseda ka zgjatur një orë dhe është e para mes tyre në gati dy vjet. Gjatë kësaj bisede, Scholz ka theksuar mbështetjen e palëkundur të Gjermanisë për Ukrainën dhe i ka kërkuar Putinit të tërheqë trupat ruse nga territori ukrainas.
“Kancelari ka kërkuar që Rusia të tregojë vullnet për të hyrë në bisedime me Ukrainën, duke pasur si qëllim arritjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme,” tha zëdhënësi gjerman. “Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shkruan france 24.
Nga ana tjetër, Kremlini e ka konfirmuar bisedën, duke thënë se ka ndodhur me kërkesë të Berlinit. Në një deklaratë, Kremlini ka bërë të ditur se Putini ka theksuar se çdo marrëveshje për përfundimin e luftës duhet të marrë parasysh interesat ruse të sigurisë dhe të pasqyrojë “realitetet e reja territoriale”.
Kundërshtimi i Ukrainës
Scholz ka zhvilluar një bisedë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, para thirrjes me Putinin, dhe sipas burimeve, do ta informojë atë për detajet e bisedës. Por Zelensky kishte shprehur kundërshtimin e tij ndaj thirrjes së Scholzit me Putinin.
“Presidenti ka thënë se kjo vetëm do ta ndihmojë Putinin duke ia zbutur izolimin. Putini nuk dëshiron paqe të vërtetë, ai dëshiron vetëm pauzë,” tha një burim nga Presidenca ukrainase.
Situata në frontin e luftës
Biseda mes dy liderëve vjen në një moment kritik për Ukrainën, e cila po përballet me sfida të mëdha në fushëbetejë për shkak të mungesës së armatimit dhe personelit. Ndërkohë, Rusia ka bërë përparime të ndjeshme në disa fronte, shkruan reuters.
Gjermania, pas Shteteve të Bashkuara, është mbështetësja më e madhe e Ukrainës, duke ofruar ndihmë financiare dhe ushtarake. Por fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 5 nëntor ka vënë në pikëpyetje përkrahjen amerikane për Kievin. Trumpi ka kritikuar në mënyrë të përsëritur mbështetjen perëndimore për Ukrainën dhe ka sugjeruar se do të përfundojë luftën shpejt, pa sqaruar si e planifikon këtë.
Pasojat politike për Scholzin
Scholz dhe Putini kishin folur për herë të fundit në dhjetor të vitit 2022, 10 muaj pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë. Kjo luftë ka përkeqësuar marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit, duke i kthyer ato në nivelet më të ulëta që nga Lufta e Ftohtë.
Ndërkohë, Scholz, i cili është përballur me kritika të shumta në vend, po përgatitet për zgjedhjet kombëtare më 23 shkurt. Socialdemokratët që ai përfaqëson do të përballen me sfida nga partitë e krahut të majtë dhe të ekstremit të djathtë, të cilat janë kritike ndaj përkrahjes gjermane për Ukrainën. /Telegrafi/