Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka akuzuar LSDM-në dhe BDI-në për përpjekje për të minuar sistemin gjyqësor dhe Prokurorinë, duke i akuzuar ato se veprojnë për të mbrojtur interesat e tyre ekonomike dhe politike.
Gjatë një vizite në Prilep, Mickoski e quajti këtë një betejë “epike”, duke paralajmëruar se do të jetë një proces i gjatë dhe i ashpër.
Deklaratat e tij erdhën pas shqetësimeve të Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, i cili ngriti dyshime për mundësinë e konflikteve të interesit në lidhje me emërimet në Këshillin Gjyqësor dhe atë të Prokurorëve Publikë.
“Instalimet e LSDM-së dhe BDI-së janë këmbëngulëse dhe beteja me ta në gjyqësor dhe në prokurori do të jetë e ashpër. Synimi i tyre për të bërë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të shkatërruar gjyqësorin dhe Prokurorinë në mënyrë që ata të mbrojnë interesat e tyre të vërteta ekonomike – ata pak gjyqtarë dhe të pandehur – po merr përmasa epike” – tha Mickoski.
Ditë me pare, BDI akuzoi koaliconin VMRO-DPMNE -VLEN për kandidaturën e Ardijan Demirit, për anëtar të Këshillit të Prokurorëve, duke e quajtur të papërshtatshëm për këtë funksion.
Sipas BDI-së, Demiri është i lidhur ngushtë me Lëvizjen Demokratike të Izet Mexhitit, pjesë e koalicionit VLEN, dhe kjo mund të çojë në partizimin e institucioneve të drejtësisë.
BDI gjithashtu ka kritikuar kandidatin tjetër, Vedat Salihi, duke theksuar se ai nuk plotëson kriteret e përvojës profesionale.
Ata kanë kërkuar gjithashtu reagimin e Bashkimit Europian për të parandaluar, siç e quajnë, “partizimin” e gjyqësorit.
Ndërkohë, Kryeparlamentari Afrim Gashi, pas njoftimit të marrë nga Kryetari I Komisionit Parlamentar për Cështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, ka njoftuar deputetët se është tërhequr propozimi për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publik. /tvklan.mk/