Rasti me ish ushtarin e UÇK-së/ Këshilli Gjyqësor nis procedurë ndaj Gjykatësit Pajazit Pajazitit

Në seancën e mbrëmshme Këshilli Gjyqësor pas një debati të gjerë për vërtetimin e përgjegjësisë së gjykatësit Pajazit Pajaziti, vendosi që të nisë procedurën e cila paraprakisht ishte rrëzuar në mungesë të dëshmive.

Procedura e anëtarit Aleksandar Kambovski i referohet veprimeve të Pajazitit në vendimin për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtetasit të Kosovës, ish ushtar i UÇK-së, Blerim Ramadani. Komisioni mbetet i njëjtë, ai përbehet nga gjykatësit Lloreta Georgieva, Pavlina Cervenkovska dhe Mirsad Surroi. Tani komisioni duhet të caktojë datë për shqyrtim kryesor dhe pas saj do të përgatisë raport për konstatimin e gjendjes faktike. Nuk dihet nëse ky vendim do të merret deri në mesin e muajit dhjetor ose jo, por ajo që dihet është se dy anëtarëve të komisionit Lloreta Georgievav dhe Mirsad Surroi më 18 dhjetor u përfundon mandati si anëtarë të Këshilli Gjyqësor.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor në seancën e djeshme të 504-të zgjodhi Jetmir Hamzain dhe Abdulla Azarin për gjyqtarë në Gjykatën e Apelit – Gostivar për sferën civile dhe Suzana Milevska, Anita Jovanovska dhe Ljupço Spirovskin për gjyqtarë në Gjykatën e Apelit – Shtip për sferën civile.

Anëtari i Këshillit Gjyqësor, Hanif Zendeli informoi se pesë kandidatët në listën e kandidatëve për përzgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit – Gostivar i plotësojnë kushtet në pajtim me ligjin. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share