Policia izraelite ka arrestuar një ndihmës të lartë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, i dyshuar për rrjedhje të informacionit të klasifikuar në mediat e huaja.
Udhëheqësit e opozitës thonë se informata ishte “falsifikuar” dhe ishte pjesë e një mashtrimi për të penguar një armëpushim dhe marrëveshje pengjesh në Gaza, përcjell Telegrafi.
Eliezer Feldstein, i cili është emëruar nga politikanët e opozitës si ndihmës i Netanyahut, është në mesin e disa personave që po merren në pyetje për rrjedhjen e “informacioneve të fshehta dhe të ndjeshme të inteligjencës”, sipas dokumenteve të gjykatës.
Një urdhër gjykate i bërë publik të dielën tha se informacionet e marra nga sistemet e ushtrisë izraelite dhe “të lëshuara ilegalisht” mund të kenë dëmtuar aftësinë e Izraelit për të liruar pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gaza.
Një zëdhënës i Netanyahut mohoi se ka pasur rrjedhje nga Zyra e Kryeministrit (PMO) dhe se “personi në fjalë nuk ka marrë pjesë kurrë në diskutime të lidhura me sigurinë”, me sa duket duke iu referuar Feldstein.
PMO gjithashtu minimizoi mundësinë që rrjedhja të ndikoi në negociatat me Hamasin për lirimin e pengjeve nga Gaza, duke e quajtur pretendimin “qesharak”.
Familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza e kanë akuzuar Netanyahun se ka penguar vazhdimisht një marrëveshje me Hamasin, duke besuar se fundi i luftës në Gaza do ta detyronte kryeministrin të mbajë zgjedhje.