Qeveria e Maqedonisë së Veriut po kërkon një shtet partner për financimin e linjës hekurudhore në kuadër të projektit Hekurudha Korridori 10.
Kështu deklaroi në konferencën për media, kryeministri Hristijan Mickoski, i cili tha se mesatare e lëvizjes përgjatë trasesë në këtë hekurudhë do të jetë 110 deri në 120 kilometra në orë.
Mickoski tha se janë shumë afër marrëveshjes me shtetin që do ta financojë atë projekt dhe nuk deshi të zbulojë se për cilin shtet është.
“Nuk është as Rusia, as Kina, as Hungaria”, tha Mickoski.
Kredia do të shlyhej pas 15 deri në 19 vjet, por qeveria këmbëngul që ajo të jetë për një periudhë më të gjatë.
Ministri i Transportit i Serbisë, Goran Vesiq, ditë më parë tha se së shpejti do të nënshkruhet një deklaratë ndërmjet Hungarisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Greqisë për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë nga Budapesti në Athinë.