Tragjedia në Novi Sad! Ditë zie në Serbi – Kërkohet përgjegjësi penale dhe politike!

Punonjësit e shpëtimit kërkuan nën rrënoja për të mbijetuarit pasi streha në hyrje të një stacioni hekurudhor në qytetin serb të Novi Sadit u shemb duke vrarë 14 persona, mes tyre në shtetas të Maqedonisë së Veriut. Aksioni i shpëtimit kishte zgjatur deri vonë natën e 1 nëntorit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kërkoi përgjegjësi penale dhe politike. Akuza dhe kërkesa për përgjegjësi dërgoi edhe opozita serbe.

Të premten e 1 nëntorit, pak para orës 22.00 përfundoi aksioni i shpëtimit në Novi Sad, ku humbën jetën 14 persona, kurse tre të tjerë morën lëndime të rënda, pas rrënimit të konstruksionit të betonit në hyrje të stacionit kryesor hekurudhor.

Në mesin e 14 viktimave në aksidentin e djeshëm në Novi Sad, është edhe shtetasi i Maqedonisë, Vasko Sazdovski (1979), ka njoftuar  Ministria e Punëve të Jashtme të  Serbisë, e cila informoi Ambasadën e RMV-së në Beograd.

Gjatë një adresimi të jashtëzakonshëm televiziv, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kërkoi përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë në Novi Sad.

“Si president I Republikës, I cili me mbështetje të qytetarëve u zgjodha në këtë funksion, kërkoj nga Prokuroria e lartë publike në Novi Sad por edhe nga Qeveria që personat përgjegjës për këtë tragjedi të procedohen dhe të marrin dënime të ashpra. Kur them Qeveria, kërkoj përgjegjësi politike, por para së gjithash përgjegjësi penale. Kjo është detyrë e tyre”, tha Vuçiq.

Ministri i Ndërtimtarisë, Trafikut dhe Infrastrukturës, Goran vesiq, për mediat serbe ka deklaruar se patjetër të zhvillohen hetime se përse streha e hekurudhës nuk ka qenë pjesë e rikonstruimit.

“Kjo që ndodhi është lëndë e hetimeve, vazhdon mbikqyrja inspektuese se përse u rrënua streha. Do të konstatohet edhe përse kjo strehë nuk ishte pjesë e rikosntruimit dhe kush ka konstatuar se nuk është I domosdoshëm rikonstruimi”, u shpreh Vesiq. 

Nga kjo e shtunë në pyetje do të merren rreth 20 njerëz lidhur me këtë tragjedi me 14 viktima. Ministri I Brendshëm serb, Ivica Daçiq, ka deklaruar se policia dhe prokuroria tashmë kanë nisur hetimet.

Por, mediat e pavarur dhe opozita serbe kanë shtruar pyetjen rreth përgjegjësisë për tragjedinë, duke rikujtuar se ndërtesa e stacionit hekurudhor fillimisht ishte rikonstruar më 2021, kurse pas disa muajve sërish kishte nis rinovimi I ndërtesës së njëjtë, që ishte hapur më 5 korrik të këtij viti.

Potencohet se rikonstruimin e ka bërë një kompani kineze, se çmimi I projektit ka qenë sekrete, kurse vet objekti disa herë ka qenë I hapur në mënyrë solemne.

Këshilltari i qytetit të Novi Sadit, Miran Pogaçar, nga koalicioni qytetar “Bravo” këtë tragjedi e quajti “krim mbi qytetarët e Novi Sadit”.

Në Serbi, sot është ditë zie, derisa në Novi Sad janë shpallur tri ditë zie. Flamujt në institucionet zyrtare janë në gjysmështizë.

Ditë zie është shpallur edhe në Republika Sërpska të Bosnjës, derisa autoritetet malazeze shprehën ngushëllime për familjarët e viktimave. Ngushëllime kanë mbërritur edhe nga kreu shtetëror dhe politik I Maqedonisë së Veriut.

Në orët e mbrëmjes së 1 nëntorit, në Novi Sad dhe disa qytete të Serbisë, qytetarët kishin ndezur qirinj për viktimat e kësaj tragjedie.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share