Prokuroria ka hapur lëndë ndaj drejtorit të ri të ASK-së Bohan Hristovskit, pas një denoncimi anonim për falsifikim dokumenti. Denoncimi i referohet certifikatës së Hristovskit TOEFL nga shkolla bullgare “Julia”, ndërsa certifikatat nga “Julia” tashmë janë shpallur false në procedurat gjyqësore në Maqedoni.
Nga Prokuroria Publike Shkup, thonë se kallëzimi i është shpërndarë prokurorit publik dhe po veprohet.
“Gjatë ditës së djeshme është pranuar një denoncim nga një parashtrues anonim, pas së cilës konform dispozitave ligjore është hapur rasti dhe i është caktuar një prokurori për punë”.
Nga LSDM kërkojnë zbardhjen e rastit. Gjatë ditës së djeshme, Lideri i kësaj partie Venko Filipçe shpalosi dokumente në Kuvend në të cilat, sipas tij, shihet se Hristovski nuk e përmbush kushtin kyç për pozitën, përkatësisht nuk ka përvojë 5 vjeçare në pozita drejtuese në institucionet e sigurisë.
Kryeministri Mickoski u përgjigj se përvoja nga lista e kushteve nuk është kyçe në të gjithë rastin, por frika e disa strukturave është te disa pjesëtarë të shërbimeve, të cilët, sipas tij, në periudhën paraprake si opozitar e kanë ndjekur me dronë. Ndryshe, Hristovski në biografinë e tij zyrtare ka deklaruar se në mars të vitit 2022 ka marrë certifikatën e anglishtes TOEFL nga kompania “Julia CO LTD” nga Plovdiv, Bullgari. Më 9 tetor të këtij viti, dy drejtoresha të institucioneve publike u dënuan me burgim me kusht, pasi kur aplikuan për këtë pozicion, ata paraqitën certifikata TOEFL të lëshuar nga e njëjta kompani e lëshuar në nëntor dhe dhjetor 2022 si dëshmi e njohurive të tyre të gjuhës angleze. /tvklan.mk