Ligji për përfaqësim të drejtë/ Minçev ende nuk e ka pranuar ligjin e paralajmëruar nga VLEN

Ministri i Administratës Publike, Goran Mincev ende nuk e ka pranuar ligjin e paralajmëruar nga VLEN, i cili sipas tyre do të garantojë përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në administratën publike. Sipas tij, bëhet fjalë për ligj kompleks dhe se për të njëjtin nuk duhet të ngutemi. Ligji para se të miratohet duhet të dërgohet në Komisionin e Venecias shton Mincev duke kujtuar se ende nuk janë krijuar as grupet e punës për të krijuar ligjin për përfaqësim të drejtë në Qeveri.

“E kam përsëritur disa herë se me një zgjidhje ligjore të tillë nuk duhet të ngutemi, njëjtë sikur tash siç po bëjmë me këto tre propozim ligje, duhet t’i përfshijmë të gjithë, posaqërisht ata që janë nga sfera akademike dhe ekspertët, njëjtë duhet të veprohet edhe me atë propozim ligj. Partnerët e koalicionit ende nuk kanë dorëzuar draft-verzionin, unë një gjë të tillë nuk e kam parë. Shpresoj dhe jam i sigurtë që në Qeveri ka kapacitet politik që të gjindet një zgjidhje ligjore e cila në fund do të dërgohet tek komisioni i Venecias me qëllim që të jetë kualitative dhe praktike” – tha Minçev.

Për dallim nga Minçev, deputeti i VLEN, Halil Snopçe insiston që draft versioni i ligjit për përfaqësim të drejtë ekziston dhe është përgatitur që moti, por nuk e përjashton mundësinë për propozim ligj tërësisht të ri. Nëse Minçev insistonte se ende nuk janë formuar grupet e punës, të kundërtën e thotë Snopçe.

“Ka grup punues, unë nuk e kam dëgjuar deklaratën e ministrit por unë e di se vet ministri është anëtarë i atij grupi punues. Jo vetëm që ka grup punues nga përfaqësues të VLEN-it nga përfaqësues të VMRO-së dhe të ZNAM-it, dhe unë sa e di, përfaqësues i ZNAM është pikërisht ministri Minçev i cili grup punues veçmë ka bërë dy takime, pra ka pasur dy takime deri më tash dhe është në fazën e hekurosjes të të gjitha qëndrimeve, normalisht, ne tham se ka draft version, por nuk e përjashtojmë mundësinë që të ketë një version tërësisht të ri i cili do ta zgjedh këtë problem” – tha Snopçe.

Mundësinë që ligji për përfaqësim të drejtë të shkojë në Komision të Venecias siç thotë ministri Minçev për Blerim Bexhetin nga Fronti Europian është edhe një tregues se Qeveria pa legjitimitet etnik nuk ka qasje serioze ndaj këtij problemi

“Vet fakti që nuk propozohet ligji nga Qeveria dhe paralajmërimi që të dërgohet edhe në Komisionin e Venecias është një porosi për shqitparët dhe etnitetet tjera se kjo Qeveri pa legjitimitet etnik planifikon një vakum më të gjatë të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe gjithsesi si një nga shtyllat e M.O-së apo i kushtetutës po ngre shqetësimet e përditshme të qytetarëve. është e pafalshme që ndodhitë që po ndodhin që për disa muaj të rënohet gjith ai kontribut që ka filluar që nga akti i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit deri tek realizimi apo zbatimi në kontuinitet” – tha Blerim Bexheti.

Ndryshe, sot në Komisionin për Sistem Politik në Kuvend janë diskutuar tre propozim ligje që do të rregullonin funksionimin dhe profesionalizmin e Administratës, por jo edhe çështja dhe propozimi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, si ligj që pritet ta zëvendësojë heqjen e balancuesit që ka shërbyer si mekanizëm deri një muaj më parë, para se të hiqen nga Gjykata Kushtetuese. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share