DESTABILIZIMI – TOSHKOVSKI: MUND TË KONSTATOJ SE NË MAQEDONI SITUATA ËSHTË STABILE
Më shumë se një dekatë aktuale dhe pa zgjidhje, vazhdon të ngelet hapja e kufirit Llojanë-Miratoc, deri më tani shumë premtime e asnjë punë në terren. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski mbrëmë në Klan Debat tha se ekziston dëshira nga të dyja palët por kemi probleme që duhet zgjidhen tek të dy shtetet jo vetëm tek Serbia.
Kanë kaluar afërsisht 10 vite nga deklarata e famshme e plakut të Llojanit tashmë të ndjerë, lidhur me kufirin Llojan-Miratoc. Edhe pse deklarata e tij aso kohe u morrë më shumë me humor ajo është aktuale edhe sot dhe vazhdon të jetë parashikim i qëlluar.
Edhe pas 10 viteve nga ajo deklaratë dhe premtimeve të njëpasnjëshme se kufiri do të hapet, edhe sot kur po flasim e shkruajmë për këtë temë procedurat kanë ngecur në vend dhe janë bllokuar e autoritetet vazhdojnë të mos saktësojnë datën e vënjes në funksion të kësaj pike kufitare.
Se kufiri nuk do të hapet e tha mbrëmë Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në Klan Debat. Sipas tij, problemi është tek dy shtetet dhe jo vetëm tek Serbia.
“Aty ka problem më të madh ka problem edhe nga ana jonë po edhe nga ana e Serbisë posaqërisht në pjesën e zgjidhjes së të gjitha procedurave juridike për vendosjen e pikës kufitare, procesi i eksproprijimit, pjesa infrastrukturore. Dëshira është nga të dy palët por nuk do të mund të thoja periudhën kohore të saktë se kur i njëjti do të vendoset në funskion. Kemi bisedime edhe në këtë temë”, tha Toshkovski.
Përveç kufirit, Llojan Miratoc, Toshkovski në “Klan Debat” mbrëmë ka folur edhe për çështjen e destabilizimit në vend të paralajmëruar nga kryeministri Mickoski dhe Qeveria. Thotë se në periudhën kur u formua Qeveria ka pasur informacione për organizim të protestave të dhunshme nga faktorët politik megjithatë shton se situata aktualisht është e qetë dhe stabile.
“Mund të konstatoj se në Maqedoni situata është stabile dhe e sigurtë në shumë aspekte edhe pse ndoshta atyre që nuk e mendojnë të mirën e RMV-së kjo çështje nuk i konvenon por është fakt që situata nga aspekti i sigurisë është stabile. E kuptoj pyetjen tuaj, është në aspekt të asaj që shumë herë deri më tani nga ana e opozitës është thënë si tezë që po mundohet ti ngjitet popullit të Maqedonisë e ajo është që “situata e sigurisë është e keqe” por është fakt që ajo çështje është gënjeshtër dhe është fakt që ajo tezë është ngritur me qëllime jo të mira”, tha Toshkovski.
Ndryshe, paralajmërimet për destabilizim ishin shumë të shpeshta nga ana e kryeministrit të vendit dhe ato sipas Toshkovsit kanë qenë paralajmërime të cilat kanë ardhur pas disa denoncimeve që janë pranuar nga MPB-ja që përmes tij i janë përcjellë kryeministrit si shqetësime. /tvklan.mk