NPK “Sharri” nga Tetova ka njoftuar QMK-në se për shkak të ndotjes së ujit në burimet e Leshnicës, sistemi i filtrimit të Leshnicës për momentin është plotësisht i mbyllur, ndërsa qyteti i Tetovës furnizohet me sasi të reduktuar të ujit.
Janë prononcuar edhe nga Komuna e Tetovës, duke u zotuar se do të rregullohet furnizimi me ujë të pijshëm, por thonë se gjithcka varet nga kushtet natyrore dhe kushtet aktuale.
Për këtë qëllim sic thonë nga Komuna e Tetovës, restriksionet e ujit do të vijojnë nga ora 01:00 deri në orën 04:00 të mëngjesit, deri në mbushjen e rezervuarëve.
Qendra për Menaxhim me Kriza ka njoftuar se Ndërmarrja Publike “Komunalec” nga Gostivari përmes një njoftimi bën të ditur se për shkak të kontaminimit të shkaktuar nga reshjet e dendura, analizat e fundit fiziko-kimike dhe mikrobiologjike konfirmojnë se uji nga rrjeti publik i ujësjellësit aktualisht nuk është i sigurt për pije.
“Deri në njoftimin e dytë, nga NP “Komunalec” nga Gostivari, të mos pihet uji nga rubineti, nga ujësjellësi”, njofton QMK.
Ndryshe, reshjet e dendura të shiut të premten gjatë ditës dhe në mbrëmje kishin shkaktuar përmbytje në disa zona të Tetovës kurse zjarrfikësit e Tetovës njoftuan se kishin patur afro 30 intervenime në terren.