Të paktën 6 të vrarë nga një sulm izraelit në Bejrut

Të paktën gjashtë persona u vranë gjatë një sulmi ajror izraelit ndaj një ndërtese banimi në Bejrut, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e Libanit.

Autoritetet thanë se sulmi u krye gjatë natës dhe goditi një ndërtesë banimi në qarkun Bashura. Banorët kanë raportuar se pas sulmit kanë ndierë erë të sulfurit dhe agjencia shtetërore e lajmeve në Liban e ka akuzuar Izraelin se po përdor bomba fosfori, që janë të ndaluara ndërkombëtarisht. Edhe në të kaluarën, grupet për të drejtat e njeriut e kishin akuzuar Izraelin se kishte përdorur predha me fosfor të bardhë gjatë sulmeve në qytezat dhe fshatrat në jug të Libanit.

Njoftimi për sulmin në Bejrut vjen në kohën kur qeveritë nga e mbarë bota po nxitojnë që të evakuojnë qytetarët e tyre nga Libani.

Në fillim të këtij muaji, Izraeli nisi një ofensivë tokësore në Liban kundër Hezbollahut – grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit – teksa po vazhdon edhe luftën në Gazë kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor të vitit të kaluar, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore në zonën kufitare. Megjithatë, së fundi tensionet janë përshkallëzuar dhe Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në jug të Libanit, por edhe në Bejrut, duke vrarë zyrtarë të lartë të Hezbollahut, përfshirë edhe udhëheqësin Hassan Nasrallah.

Hezbollahu shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Partia politike e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Irani, që mbështet Hezbollahun, por edhe Hamasin, të martën lëshoi rreth 200 raketa drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Nasrallahut, teksa Izraeli është zotuar se do të kundërpërgjigjet ndaj Teheranit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha më 2 tetor se ai nuk mbështet një sulm izraelit që do të shënjestronte programin bërthamor të Iranit. /REL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share