Rusia evakuon mijëra njerëz pas përparimit ukrainas

Rusia filloi sërish evakuimin e mijëra njerëzve të tjerë nga rajonet e saj kufitare pasi Ukraina po përparon më shumë.

Guvernatori i rajonit të Kurskut, Aleksei Smirnov, u bëri thirrje banorëve të qarkut ta kuptojnë gjendjen e tanishme dhe t’i ndjekin të gjitha udhëzimet e agjencive të sigurisë dhe të autoriteteve vendore.

Shumë prej banorëve shprehen se ushtria ukrainase duhet të hakmerret kundër forcave ruse.

“Le të hakmerren ndaj rusëve për të gjitha këto. Jo vetëm këtë, por për të gjitha jetët njerëzore,” tha një banore.

Autoritetet në Ukrainë kanë shprehur shqetësim për situatën humanitare në rajonin e Kurskut dhe njoftuan gatishmërinë e tyre për t’i ndihmuar rusët e zhvendosur, përfshirë ata të cilët duan të shpërngulen në Ukrainë.

Qarku i Glushkovit i cili ndodhet në afërsi të qarkut të Sudzhas, ka qenë fushëbeteja e luftimeve më të ashpra prej se Ukraina e nisi një inkursion në tokën ruse më 6 gusht.

Ky qark kishte një popullsi prej rreth 20.000 banorësh para sulmit ndërsa tanimë ata janë larguar. Të paktën 200,000 njerëz janë evakuuar deri më tani nga rajonet kufitare. Qeveria u ka ofruar të evokuarve një pagesë prej 10,000 rubla si kompensim, dhe 600,000 rubla në rast lëndimi të rëndë nga sulmet.

Ndërsa sulmi ukrainas ka zbuluar dobësinë e mbrojtjes ruse në kufi zyrtarët rusë thanë se ajo që ata e quajtën si një “pushtim” ukrainas nuk do të ndryshonte rrjedhën e luftës. Rusia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në rajonin e Kurskut dhe gjendje të jashtëzakonshme rajonale në rajonin fqinj të Belgorodit.

Ndërkaq ushtria ukrainase ka bërë të ditur se Rusia ka sulmuar së paku nëntë rajone ukrainase me raketa dhe me dronë gjatë natës. Shumica e tyre u hodhën nga bazat ajrore brenda Rusisë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share