Tre civilë afganë janë vrarë gjatë përleshjeve mes trupave kufitare afgane dhe pakistaneze, pranë pikës kufitare në Torkam, tha zëdhënësi i qeverisë de facto talibane në Kabul më 13 gusht.
Përleshjet ndodhën në orët e vona të 12 gushtit, me trupat pakistaneze që hapën zjarr ndaj forcave afgane, tha zëdhënësi për Ministrinë e Brendshme talibane. Ky zëdhënës shtoi se një grua dhe dy fëmijë u vranë gjatë këtij incidenti.
Ushtria pakistaneze ende nuk ka komentuar për këto përleshje të armatosura. Por, një zyrtar i sigurisë, që foli në kushte anonimiteti, tha se tre trupa paramilitare pakistaneze janë plagosur.
Përgjatë kufirit mes Afganistanit dhe Pakistanit shpesh ka përleshje të armatosura mes forcave të sigurisë./REL