Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në fshatin Kokoshinje të Kumanovës, ku një person ka humbur jetën nga një zjarr i shpërthyer pasditen e sotme. Qendra e Menaxhimit të Krizave ka njoftuar se zjarri u përhap me shpejtësi për shkak të erës dhe ka përfshirë shtëpinë ku jetonte i ndjeri së bashku me bashkëshorten e tij.
Drejtori i QMK-së, Stojançe Angelov, konfirmoi se personi i ndjerë është mbytur nga tymi. Gruaja e tij është evakuuar me sukses nga vendi i ngjarjes. Në këtë zonë, ku ndodhen 12 fshatra, zjarret janë aktive dhe po shkaktojnë sfida për zjarrfikësit për shuarjen e tyre. Disa shtëpi janë djegur, disa prej tyre të vjetra dhe të braktisura, por edhe shtëpi të reja ku jetojnë banorë të fshatit.
Përveç zjarrfikësve, intervenimi ka përfshirë edhe helikopterin e policisë dhe ushtrisë, si dhe tre “ajrtraktorë”. Megjithatë, era e fortë ka bërë që situata të jetë e vështirë për t’u kontrolluar.
Angelov u bëri thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm, pasi pritet që ditët në vijim të shoqërohen me mot të nxehtë dhe erë të fortë.