Ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir, pret implementimin e të gjitha rekomandimeve të misionit Vlerësues të BE-së në gjyqësor.
Gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, ai ka potencuar se në Bruksel nuk ka vullnet për ndryshimin e kornizës Negociuese.
”A mund të arrijë kjo qeveri një marrëveshje më të mirë? Unë personalisht dyshoj shumë. Sigurisht, kjo është një çështje mes dy qeverive, por dyshoj shumë se mund të arrihet. Dhe nuk shoh oreks në Bruksel për të rishikuar kuadrin e negociatave që është baza e negociatave. Siç them unë, ka një zgjidhje në tryezë. Do të ishte mirë të shkojmë drejt kësaj zgjidhjeje tani, tha Ambasadori evropian Dejvid Gir.
Duke komentuar paralajmërimin e VMRO – DPMNE-së për shpërndarje të Këshillit Gjyqësor dhe atij të Prokurorëve Publik, Euroambasadori Gir tha se, rekomandimet e ekipit të ekspertëve të BE-së, që qëndruan verën e kaluar në vend, përfshijnë masa për të forcuar pavarësinë dhe integritetin e Këshillit Gjyqësor.
“Këto rekomandime vijnë nga reformat legjislative, veprimet që duhen ndërmarrë nga autoritetet, qeveria dhe veprimet që duhen ndërmarrë nga vetë këshilli gjyqësor. Pra, sipas mendimit tonë, ajo që duhet të ndodhë dhe, po, ka nevojë për veprim radikal. Ne pajtohemi plotësisht me qeverinë për këtë, por duhet të ndërtojmë mbi atë që është arritur dhe kemi shumë analiza të mira dhe këshilla të mira duke përfshirë rishikimin e kolegëve, duke përfshirë raportin vjetor të vendit, i cili thekson se si të ecim përpara në një mënyrë që do të forcojë gjyqësorin dhe do t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve” tha Dejvid Gir.
Përsa i përket reformave në administratën publike, Ambasadori Gir kritikon emërimet politike në poste drejtuese.
Ai thekson se është e domosdoshme që administrata të funksionojë në bazë të meritës dhe jo të preferencave politike. /tvklan.mk