Zgjedhja e zëvendësministrave të ri në seancë plenare

MICKOSKI: KEMI TRASHËGUAR NJË SHTET TË PLAÇKITUR DHE TË GJUNJËZUAR

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka nisur sot seancën plenare për zgjedhjen e zëvendësministrave, të propozuar javën e kaluar nga kryeministri, Hristijan Mickoski, me çka edhe pritet të kompletohet përbërja qeveritare. Mickoski, gjatë prezantimit të zëvendësministrave të propozuar, tha se kjo qeveri të punojë pa kompromis në përmirësimin e ekonomisë së shtetit dhe standardit të qytetarëve. Ai po ashtu, akuzoi qeverinë e kaluar se, ka plaçkitur shtetin.

“Nuk është asnjë arsyetim, nuk kam për qëllim të ankohem për situatën e trashëguar sepse unë nuk heq dorë asnjëherë nga ajo që kam premtuar, por është objektive të theksoj se, kemi trashëguar një shtet të plaçkitur dhe të gjunjëzuar. Në këto katër javë konstatuam se, harxhohen miliona euro në një hekurudhë e cila përfundon në një tunel që nuk ka dalje, gjysmë miliardë euro para të tatimpaguesve të Maqedonisë, në tunele të tjera të shpikura dhe kalime nëntokësore”, deklaroi Mickoski.

Miskoski paralajmëroi përgjegjësi për të gjitha keqpërdorimet që ka bërë pushteti i kaluar.

“Sepse besoni se nuk do të ketë përparim pa llogari, dhe nuk do të ketë drejtësi pa llogari. Dhe të gjitha këto, por edhe shumë raste të tjera që dokumentohen gjatë kësaj periudhe do t’u kalojnë organeve kompetente”, tha Mickoski.

Zgjedhja e zëvendësministrave vjen në seancë plenare një muaj pas zgjedhjes së qeverisë dhe ministrave të saj.

Në propozimin e dorëzuar në Kuvend, 7 zëvendësministra do t’i takojnë koalicionit VLEN. Përkatësisht, partitë shqiptare që janë pjesë e këtij koalicioni, do t’i takojnë postet e zëvendësministrave në Ministrinë e Mbrojtjes, ku është propozuar Elfet Ismaili, të Brendshme, ku propozohet Astrit Iseini. zëvendësministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së ujërave është propozuar Flakron Bexheti, në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, si zëvendësministër pritet të jetë Lulzim Aliu, për zëvendësministër të Kulturës dhe Turizmit është propozuar Sedat Sulejmani. Për zëvendësministre të Transportit është propozohet Kaltrina Zekolli Shaqiri dhe Safije Sadiki Shaini është propozuar zëvendësministre e Sportit.  /tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share