Presidentja Vjosa Osmani ia dorëzon flamurin ekipit olimpik që do ta përfaqësojë Kosovën në LOV “Paris 2024”

Nëntë sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” iu është dorëzuar flamuri i shtetit nga presidentja Vjosa Osmani.

Pra Kosova në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, që startojnë më 26 korrik, do të përfaqësohet nga nëntë sportistë: Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu, Akil Gjakova, Loreana Kuka, Donjeta Sadiku, Gresa Bakraçi, Hana Beiqi dhe Adell Saboviq.

Presidentja Osmani tha se pjesëmarrja e Kosovës në Lojërat Olimpike paraqet kulmin e një pune të madhe. Ajo siguroi sportistët olimpikë kosovarë se gjatë garës në Paris do ta kenë mbështetjen e madhe të gjithë popullit, teksa pati edhe një porosi të veçantë.

“Garoni me nder e luftoni për flamurin e Kosovës që të jetë sa më lartë në skenën globale sportive”, tha Osmani.

Flamurin e shtetit të Kosovës, presidentja Osmani ia dorëzoi xhudistes Nora Gjakova.

Të pranishëm në këtë ceremoni, që u mbajt në Amfiteatrin e Gërmisë, ishin dhe kryeministri Albin Kurti; presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi; ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier; i Francës, Olivier Guérot; ai i Gjermanisë, Jorn Rohde; përfaqësues të federatave të sportit të Kosovës e dashamirë të tjerë të sportit.

Lojërat Olimpike në Paris do të zhvillohen nga 26 korriku deri më 11 gusht.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share