Presidenti i Amerikës, Joe Biden, ka mbajtur fjalimin e tij me rastin e 75-vjetorit të NATO-s.
Para liderëve të shteteve të ndryshme, Biden foli për rëndësinë, kontributin dhe angazhimin e Aleancës për ruajtjen e paqes.
Në mesin e fjalës së Biden, një fjali theksonte ndërhyrjen e NATO-s në Ballkan gjatë vitit 1999.
Presidenti amerikan theksoi se NATO kishte ndërhyrë për të vendosur paqen dhe për ta ndaluar spastrimin etnik.
“Kur shpërtheu lufta në Ballkan, ne ndërhymë për të rivendosur paqen dhe për të ndaluar spastrimin etnik”, tha Biden.
“Dhe kur Shtetet e Bashkuara u sulmuan më 11 shtator, aleatët tanë të NATO-s – të gjithë ju – qëndruat me ne, duke thirrur nenin 5 për herë të parë në historinë e NATO-s, duke e trajtuar një sulm ndaj nesh si një sulm ndaj të gjithëve ne – një shfaqje befasuese e miqësisë që populli amerikan nuk do ta harrojë kurrë, kurrë”, tha presidenti amerikan më tutje.
Në Samitin e NATO-s, Kosova është përfaqësuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien ka reaguar pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ai tha se është e rëndësishme që SHBA-ja dhe Kosova të jenë në hap për avancimin e vizionit të përbashkët, pasi e mirëpriti në Washington presidenten Vjosa Osmani.
O’Brien shkroi se me Osmanin diskutuan edhe për nevojën për “nevojën urgjente” për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë.
“E mirëprita presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Washington. Ne jemi krenarë që mbështesim shtetin sovran, multietnik dhe demokratik të Kosovës. Është e rëndësishme që ne të qëndrojmë në hap për ta avancuar vizionin tonë të përbashkët. Gjithashtu u diskutua nevoja urgjente për t’u riangazhuar në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi O’Brien në “X”
Gjatë qëndrimit në Amerikë, Osmani takoi edhe sekretarin Anthony Blinken.
“Faleminderit Sekretarit Blinken për pritjen dhe diskutimin e sotëm në Departamentin e Shtetit në Washington D.C., në kuadër të Samitit të NATO-s. Aleanca me SHBA-të nuk është vetëm një dëshmi e vlerave dhe parimeve tona të përbashkëta demokratike, por edhe një gurthemel për stabilitetin dhe prosperitetin global”, thuhet në postim.
Osmani gjatë qëndrimit atje takoi edhe presidentin e Kroacisë dhe kryeministrin e Bullgarisë.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kroacia është një ndër aleatet kyçe të Kosovës në rajon dhe ndër mbështetëset kryesore të rrugëtimit tonë euroatlantik.
“Me homologun Milanović, Presidentja Osmani ndër të tjera ka diskutuar për aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO dhe mbështetjen jetike nga aleatët kroatë, si dhe rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në rajon dhe përtej”, thuhet në njoftim.
“Me Kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev, takimi ynë në margjina të Samitit të NATO-s u fokusua në partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë dhe angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Gjithashtu diskutuam edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe mbështetjen e vazhdueshme nga partnerët tanë bullgarë”, ka shkruar Osmani.