Bashkimi Evropian ka ndaluar procesin e pranimit të Gjeorgjisë në BE dhe ka ngrirë 30 milionë euro ndihmë për Ministrinë gjeorgjiane të Mbrojtjes. Kjo ndodhi pas miratimit të një ligji që shihet si masë për të shtypur disidencën.
Ambasadori i BE-së në Gjeorgji, Pawel Herczynski, tha se ky vendim është në përgjigje të Ligjit për transparencë të ndikimit të huaj, por edhe për shkak të hapave antidemokratikë të Qeverisë gjeorgjiane. Herczynski shpreson që Tbilisi do të rishqyrtojë disa prej vendimeve të fundit pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit.