Trajneri i Portugalisë, Roberto Martinez konfirmoi se Cristiano Ronaldo do të jetë titullar në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë në sfidën e fundit të grupeve për Euro 2024.
Pasi siguroi kualifikimin pasi mundi Çekinë dhe Turqinë, kishte aludime se në ndeshjen e tretë sulmuesi do të mungonte. Megjithatë ka qenë vetë Martinez që ka konfirmuar se ai do të jetë titullar.
“Mund të them që nesër kapiteni do të jetë në formacionin titullar. Është e rëndësishme që ai të luajë. Ai ka luajtur vetëm një ndeshje miqësore, ka pasur një sezon të gjatë e me shumë minuta në këmbë dhe mendoj se të vazhdosh me ritmin konkurrues nuk është mirë ta ndalosh dhe ta riaktivizosh pas 6 ditësh. Kapiteni dhe Diogo Costa do të jenë në formacionin titullar”, tha ai.
Ronaldo me shokë do të përpiqen të hyjnë në fazën me eliminim direkt si Spanja, pra me një rekord fitoresh 100%. Për këtë do duhet të kalojnë Gjeorgjinë që ka treguar se di të luajë fort./tvklan.al