Forcat izraelite goditën të premten objektiva në gjithë territorin e Rripit të Gazës, përfshirë sulme ajrore në qytetin e Rafahut, ku tani është përqendruar ofensiva ushtarake e Izraelit. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, të paktën 12 persona u vranë në dy sulme ajrore të premten, mes së cilëve dy fëmijë dhe katër gra. Ushtria izraelite njoftoi se forcat e saj “po vazhdojnë operacionet ushtarake” në zonën e Rafahut dhe kanë gjetur raketa-hedhës, armë dhe tunele nëntokësore në qendër të qytetit.
Ndërkohë, zyrtarët e Katarit, që po ndërmjetësojnë përpjekjet për armëpushim, njoftuan se është bërë pak përparim në negociata. Listës së shteteve që njohin shtetin palestinez iu shtua edhe Armenia. Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, duke theksuar se në negociata, dyja palët duhet të bëjnë sakrifica.
Luftimet në Gazë kanë thelluar edhe më tej krizën humanitare. Vetëm në një spital në pjesën veriore të Gazës, rreth 250 fëmijë janë trajtuar nga pasojat e kequshqyerjes. Mungesa e ndihmave dhe bllokada e ndihmave humanitare kanë rënduar situatën. Një sasi ndihmash u shkarkuan përmes portit të përkohshëm të ushtrisë amerikane, por kjo ndodhi në një kohë kur porti kishte pësuar dëmtime të mëdha për shkak të detit të trazuar.