Për nxënësit e shkollave të mesme përfundoi viti shkollor 2023/2024, derisa për nxënësit e shkollave fillore, konform vendimit të sivjetshëm për organizimin e mësimit, deri në pushimin e verës kanë edhe një javë pune.
Fundi I vitit shkollor më 17 qershor ishte paraparë për të gjithë nxënësit, por Ministria e Arsimit mori parasysh kërkesat e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme.
Për herë të parë këtë vit, nxënësit patën edhe pushimin pranveror, prej 29 prill deri më 6 maj.
Por, prindër të nxënësve dhe mësimdhënës përmes rrjeteve sociale bëjnë thirrje që viti shkollor të përfundojë menjëherë, për shkak se vlerësojnë se nuk ka kushte për mbajtjen e mësimit për shkak të temperaturave të larta.
Një qëndrim I këtillë shihet në anketën e publikuar në grupin në Facebook “Mbështetje për mësimin – online” që numëron 16.000 anëtarë, ku 84% e të anketuarve janë shprehur “pro” që viti shkollor të përfundojë tani.
Maturantët gjatë dy të shtunave dhanë dy provimet eksterne të maturës shtetërore kurse rezultatet priten më së voni deri 8 korrik.
Nga ana tjetër gjysmëmaturantët duhet të regjistrohen nëpër shkollat e mesme.
Sipas Konkursit, afati I parë e paraqitjes elektronike do të jetë nga 20 deri 25 qreshor kurse I dyti më 1 dhe 2 korrik./tvklan.mk