Atentati ndaj kryeministrit Robert Fico shkaktoi tronditje në Evropë e më gjerë këtë muaj. Shqetësimi ishte në rritje për shëndetin e tij pasi kryemisnitri sllovak mori 4 plumba.
Atentati e la Ficon në një gjendje të rëndë shëndetësore. Ai kishte nevojë për një ndërhyrje të gjatë kirurgjikale e cila zgjati 5 orë, dy ditë më vonë iu nënshtrua një tjetër operacioni.
Megjithatë, falë ndihmës së mjekëve në spitalin në Banska Bystrica 59-vjeçari ka dalë nga ambientet e spitalit. Por edhe në shtëpi do të ketë kujdesin e infermierëve.
Të enjten kryeministri iu nënshtrua kontrolleve, të cilat konfirmuan zhvillimin pozitiv të shëndetit të tij pas atentatit.
Fico u qëllua me armë nga një 71-vjeçar pranë Shtëpisë së Kulturës në qytetin Handlova më 15 maj. Kryeministri po takohej me mbështetësit e tij në qytetin që gjendet rreth 140 kilometra në verilindje të kryeqytetit. Atentati ndaj Ficos ishte përpjekja e parë për të vrarë një udhëheqës evropian në 20 vitet e fundit. Sulmi u dënua gjerësisht nga udhëheqësit ndërkombëtarë.
Klan News