Shkup, 14 maj 2024 (MIA) – VMRO-DPMNE dhe Koalicioni VLEN i formuan grupet e punës për vazhdimin e bisedimeve për koalicionim eventual në qeverinë e ardhshme, pasi gjatë fundjavës u morën vesh për parimet e përgjithshme për bashkëpunim, konfirmuan për MIA-n burime nga të dyja partitë.
Siç bëjnë të ditur nga VLEN për MIA-n, grupet e punës nga të dyja partitë nesër do ta mbajnë takimin e parë. Për emrat e përfaqësuesve në grupet e punës, nga të dyja partitë thonë se do t’i bëjnë të ditura përmes kumtesës.
Bashkëpunimi, siç informoi VMRO-DPMNE pas takimit që u mbajt të shtunën në shtabin e VLEN-it do të bazohet në tri shtylla – integrime evropiane, zhvillim i përshpejtuar ekonomik, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe sundimi i drejtësisë.
“U konstatua se të dyja palët do të formojnë grupe pune ku do të vazhdojnë bisedimet deri në finalizimin e tyre”, informuan atëherë nga VMRO-DPMNE.
Në takim morën pjesë lideri VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski me bashkëpartiakët dhe liderët e partisë nga partitë në Koalicionin Vlen, Arben Taravari, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi.
Nga koalicioni VLEN pas takimit vlerësuan se bisedimet zhvillohen në drejtim pozitiv dhe të duhur.
Sipas rezultateve të para zyrtare për zgjedhjet parlamentare të cilat i publikoi KSHZ, Koalicioni Maqedonia e Juaj i kryesuar nga VMRO-DPMNE ka fituar më së shumti mandate të deputetëve, 58, pas çka vijojnë Koalicioni Fronti Evropian i kryesuar nga BDI me 19 mandate të deputetëve, Koalicioni për të Ardhme Evropiane i kryesuar nga LSDM, 18, Koalicioni VLEN, 13, ndërsa Lëvizja ZNAM për Maqedoninë tonë dhe E majta nga gjashtë mandate të deputetëve.