Fitoi zgjedhjet, nisi negociatat për formimin e Qeverisë së re dhe duket se I duhen disa ditë të lira për të përgatitur strategjinë e ardhshme.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në profilin e tij në Facebook, postoi një foto teksa shihet I relaksuar dhe duke shijuar bukuritë malore.
“Zjarr, Mali Ograzhden dhe Maqedonia e lirë. Disa ditë për strategjinë dhe hapat që duhet t`i ndërmarrim” – shkruan Mickoski.
Përtej idilës së Mickoskit, duket se për momentin midis VMRO-së dhe VLEN-it nuk bisedohet për ndarjen e resorëve dhe çështjet kadrovike, por për parimet e dhe partneritetin me partnerët potencial të koalicionit.
Të paktën, kështu kanë pohuar përfaqësues të dy taborreve, të cilët të shtunën dakorduan parimet e përgjithshme të bashkëpunimit që do të bazohet në postulatet për eurointegrimet, zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Në paraqitjet publike por dhe në deklaratat paszgjedhore, duket se ekonomia do të jetë fusha që do t`i kushtohet më shumë vëmendje. Kjo mund të shihet edhe në postimet e videove të shkurta në Facebook të kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit.
“Programi ynë ekonomik bazohet në investime e jo në harxhime publike. E pamë se deri ku na solli, kështu që këto procese duhet të shkojnë si investime, produktivitet, paga më të larta, duhet të shkojnë paralelisht. Projektin që ishte bartës – 250 milion euro për Komunat, 5.000 denarë për pensionistët, e gjithë kjo nis të funksionojë që nga vjeshta”
Mediat njoftojnë se sipas projeksioneve, pritet që në gjysmën e dytë të korrikut të bëhet ribalansi i Buxhetit, kurse nga shtatori të ns projekti me decentralizimin e mjeteve financiare dhe inevstime në komuna, për cka parashihen 250 milion euro brenda vitit respektivisht 125 milion euro deri në fund të vitit.
Se ekonomia do të jetë shtylla kyçe gjatë veprimit të qeverisë së ardhshme, paralajmëroi vet Mickoski. Ai në fjalimin e fitores më 8 maj, paralajmëroi pakon financiare, sic tha, me bashkëpunim “qeveri me qeveri” në vlerë prej 1 miliardë euro, me kushte të mira – grejs periudhë të volitshme dhe shkallë atraktive interesi, duke potencuar se së shpejti do të bëhen publike detajet. /tvklan.mk/