ANKETË E IRI-t NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Hulumtimi i fundit shumëkombësh për Ballkanin Perëndimor që është realizuar nga Qendra për Hulumtimi anketuese – CISR të Institutit Ndërkombëtar Republikan – IRI, tregon mbështetje të gjerë për aderim në BE dhe një shumicë të madhe që invazionin rus në Ukrainë e vlerësojnë si të paarsyeshme.
Anketa është zbatuar në 6 vende të Ballkanit Perëndimor – në RMV, Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Në pyetjen nëse mbështesin aderimin në BE, nëse sot mbahet referendumi, në 5 nga 6 vendet një shumicë e madhe do të votonin pro BE-së, në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë – 68%, kurse në Shqipëri – 92%. Në Serbi më shumë se 40% mbështesin anëtarësimin në BE.
“Në Ballkan ekziston një dëshirë e fuqishme për të përforcuar lidhjet me ekonomitë perëndimore dhe për aderimin në BE. Kjo mbështetje tregon se njerëzit e rajonit besojnë se integrimi i mëtutjeshëm në BE mund të ndihmojë që të arrihet prosperiteti i qëndrueshëm” – tha Pol Mekarti – IRI Evropë.
Për qytetarët e Ballkanit Perëndimor prioritet mbeten çështjet ekonomike. Papunësia, çmimet e larta dhe harxhimet e jetës potencohen si shqetësime kryesore. Krahas kësaj, në të gjashtë vendet, korrupsioni vlerësohet si një nga tri problemet prioritare.
Anketa ka treguar se shumica e qytetarëve në 5 nga 6 vendet e anketuara besojnë se invazioni rus në Ukrainë është i paarsyeshëm. Nga ana tjetër, në Serbi, më shumë se 49% e arsyetojnë Rusinë.
“Edhe pse këto shifra kryesisht janë pozitive, përgjigjet që vijnë nga Serbia janë shqetësuese. Nëse paqa dhe siguria janë qëllime afatgjate të Ballkanit, opsioni më i mirë për Serbinë do të ishte që t`i hedh poshtë propozimet ruse dhe të ndërtojë lidhje më të fuqishme me Perëndimin” – tha Pol Mekarti – IRI Evropë.
IRI – Maqedoni njoftoi se anketa është zbatuar në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi, nga 2 shkurti deri më 5 mars. /tvklan.mk/