Autoritetet greke kanë ndërmarrë masa të rrepta sigurie për vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama, të dielën në Athinë. Kështu shkruan e përditshmja greke Protothema. Vizita e kryeministrit do të nisë në orën 08:30-09:00 të mëngjesit, kur pritet të mbërrijë në aeroportin ndërkombëtar, Eleftherios Venizelos. Me qindra oficerë policie, të disa agjencive ligjzbatuese, do të jenë në terren për sigurinë e kryeministrit shqiptar, që nga momenti i zbritjes në aeroport e deri kur të largohet nga Athina.
Sipas Protothema, kryeministri Edi Rama do të jetë i shoqëruar nga rreth 150 persona. Në mesin e tyre janë anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë dhe 50 gazetarë që do të shkojnë direkt tek stadiumi Galasi. Aty, në dispozicion që kreut të qeverisë shqiptare dhe personave që e shoqërojnë janë vënë në dispozicion dy ambiente.
Fjalimi i kryeministrit në skenën e “Christmas Theater” të stadiumit do të nisë në orën 11:00, ndërsa gjatë ditës Rama do të zhvillojë takime me bashkatdhetarë, anëtarë të PS dhe biznesmenë. Ai pritet po ashtu të shpërndaje dhe karta për anëtarët më të rinj të kësaj force në emigracion. Kryeministri shqiptar pritet që të largohet nga Athina rreth orës 19:00.
Axhenda nuk parashikon takime zyrtare me qeveritarë greke.
Vetë kryeministri, përmes postimeve të shumta që lajmërojnë takimin ka treguar se e ka shumë të rëndësishëm turin me shqiptarët e diasporës për t’i falenderuar për kontributin që kanë dhënë për Shqipërinë ndër vite, por dhe për t’i ftuar të rikthehen, që këtë kontribut tanimë ta japin duke investuar në atdhe.
Ndërkohë, më herët, në një intervistë për televizionin Alpha, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, e cilësoi diçka normale takimin e kryeministrit Rama me emigrantët shqiptarë dhe tha se nga pala greke nuk ka pasur asnjë pengesë. Megjithatë ai nuk la pa shprehur pakënaqësinë e tij, për kohën e zgjedhur nga Rama për të zhvilluar këtë takim.
“Nëse më pyesni nëse koha e kësaj vizite, pak javë para zgjedhjeve europiane dhe në një moment kur kemi disa çështje të hapura që i përkasin minoritetit grek në Shqipëri, është e përshtatshme, do t’ju përgjigjesha që nuk është koha e përshtatshme, por kaq, nuk duhet t’i japim më shumë rëndësi kësaj çështje”, tha ai.
Pas Athinës, kryeministri Edi Rama do të jetë në Milano, Londër dhe Duseldorf për t’u takuar me shqiptarët që jetojnë në Itali, Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani./tvklan.al