ZGJEDHJET PRESIDENCIALE
KSHZ-ja publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale të 8 majit. Njëzëri u miratua procesverbali për rezultatet përfundimtare.
KSHZ-ja bëri rekapitulimin e procesit zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale të 8 majit. Sipas tyre, në listën zgjedhore ishin regjistruar 1.814.317 votues dhe se jehona e zgjedhësve ka qenë 47.47%
“Numri i përgjithshëm i zgjedhësve që kanë votuar – 861.218, numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të papërdorura – 953.121, fletëvotime të vlefshme – 812.899, të pavlefshme – 48.289, kanë votuar – 47.47%” – tha Demiri.
KSHZ-ja konstatoi se me shumicë votash, Presidente e Maqedonisë së Veriut është zgjedhur Profesorja Gordana Siljanovska Davkova dhe bëri publike rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale të 8 majit.
“1.Stevo Pendarovski – 251.899 vota 2.Gordana Siljanovska Davkova – 561.000 vota. Presidente e RMV-së është zgjedhur Gordana Siljanovska Davkova me shumicën e votave nga zgjedhësit që kanë votuar” – tha Abdush Demiri, KSHZ.
Për zgjedhjet presidenciale nuk ka pasur ankesa, por kjo nuk mund të thuhet për ato parlamentare.
Bëhet fjalë për 26 ankesa. 9 janë nga koalicioni “Vlen”, 8 nga VMRO-DPMNE, 5 nga LSDM-ja dhe 4 nga “Levica”
Kreu I KSHZ-së Aleksandar Dashtevski, tha se bëhet fjalë për ankesa grupore dhe ku përfshihen më shumë vendvotime dhe duhet që të bëhen përllogaritjet për të parë se sa ankesa janë githsejt.
Sipas procedurës, KSHZ-ja Gordana Siljanovska Davkovës ia ndau edhe certifikatën që do t`i duhet gjatë procesit të inaugurimit në Kuvend.
Pas publikimit të rezultateve përfundimtare, hapet rruga për caktimin e seancës së inaugurimit. Seanca parlamentare pritet të mbahet të dielën në mesditë.
Gordana Siljanovska Davkova, e cila do të jetë Presidentja e gjashtë e Maqedonisë së Veriut dhe gruaja e parë presidente, duhet të jep deklaratë solemne para deputetëve të përbërjes së mëparshme parlamentare, me çka edhe zyrtarisht nis mandati i saj pesëvjeçar. /tvklan.mk/