Dy blloqet kundërshtare politike Fronti Evropian dhe VLEN kanë paralajmëruar tubimet përmbyllëse në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë. Që të dy koalicionet kanë paralajmëruar tubimet e tyre në orën 20:00 në sheshin Iliria në Tetovë, në të njëjtë ditë.
Në lidhje me këtë SPB Tetovë njofton se Fronti Europian ka dërguar më herët kërkesë për tubim në sheshin “Iliria” në Tetovë.
“Lidhur me mbajtjen e tubimit parazgjedhor më datë 06.05.2024 në sheshin “Iliria” në Tetovë, është dërguar kërkesë deri në SPB Tetovë më 12.04.2024 nga Koalicioni “Fronti Evropian”, dhe më 22.04. 2024 është dërguar një kërkesë nga Koalicioni “Vlen”. Për shkak të pamundësisë së mbajtjes së të dyja ngjarjeve në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, nga SPB Tetovë koalicionit “Vlen” i është dërguar një dokument me shkrim dhe janë tentuar që të caktohet një takim koordinues, por nuk kemi marrë përgjigje deri tani. Gjithashtu ju njoftojmë se në lidhje me rastin konkret po vepron Departamenti i Kontrollit të Brendshëm, Hetimeve Penale dhe Standardeve Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe nëse konstatohet sjellje e papërshtatshme do të njoftohet publiku”, thuhet në njoftimin e SPB-Tetovë.