Liga e dytë e Futbollit/ Historike: KF Besa e Dobërdollit pjesë e elitës së futbollit në RMV!

FUTBOLL – LIGA E DYTË

Pas ndeshjeve të xhiros së 26 të kampionatit në Ligën e dytë Besa e Dobërdollit edhe zyrtarisht siguroi kualifikim në elitën e futbollit vendor. Drejtuesit e klubit kanë paralajmëruar festë të madhe për suksesin historik në fshatin Dobërdoll

Klubi futbollit Besa e Dobërdollit, ka shkruar historinë. Skuadra nga Dobërdolli i Gostivarit, sezonin fantastik në Ligën e Dytë të shtunën e kurorëzoi me suksesin historik kualifikim në Ligë të parë.

Suksesin historik e festuan afro 2 mijë tifozë së bashku me futbollistët, stafin teknik dhe sponsorët.

“Mendoj se është një plasman i merituar i ekipit Besa, është bërë një angazhim i madh si nga drejtuesit, si nga lojtarët si nga publiku. Besoj se në fund ia kemi arritur qëllimin dhe së bashku do ta festojmë këtë sukses. Shpresoj të vazhdojmë njëjtë në Ligën e parë që ta përfaqësojmë sa më denjësisht Besën e Dobërdollit”, tha Alimi.

Në këtë ndeshje i pranishëm ishte edhe kapiteni Xhemail Esati, i cili për shkak të lëndimit në fazën përgatitore, nuk pati mundësi ta ndihmojë ekipin gjatë sezonit pranveror.

“Ndjenjat janë normalisht të veçanta dhe ndjej keqardhje që këtë gjysmësezon nuk kam arritur të ndihmojë ekipin, por së bashku djemtë ia arritën qëllimit shumë mire dhe besoj se jemi në ligë të parë që është sukses i jashtëzakonshëm për klubin dhe fshatin tonë. Por, dëshira jonë është që ta mbyllim sezonin si kampion”, tha Esati.

Në sezonin e ardhshëm 2024/2025, Liga e Parë e futbollit në Maqedoninë e Veriut do të frymojë shqip. Nga 12 ekipet, gjysmat do të jenë shqiptare, pasi Besa e Dobërdollit, u bashkangjitet skuadrave Shkupit, Strugës, Shkëndijës, Gostivarit dhe Voska Sportit.

Deri në fund të kampionatit në Ligën e dytë kanë mbetur edhe katër xhiro, ndërsa drejtuesit e ekipit Besa paralajmëruan se në fund të kampionatit do të organizojnë një festë për suksesin historik të klubit nga Dobërdolli i Gostivarit./tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share