Zgjedhjet Presidenciale/ Nis të nxehet fushata – fillojnë akuzat e kundërakuzat!

Ditën e katërt të fushatës zgjedhore Pendarovski e përfundoi me një miting në Ohër.

“Realizuam edhe një premtin” – tha Pendarovski duke u prononcuar për anëtarësimin në NATO dhe duke u zotuar për vazhdimin e rrugëtimit evropian të vendit.

“Maqedonia mund të vazhdojë drejt BE-së vetëm me këtë strukturë politike. Kemi miq të jashtëm dhe për dallim nga të tjerët dijmë të negociojmë, për shkak se kemi mësuar si t`i mbrojmë interesat kombëtare. VMRO-DPMNE gjatë gjithë kohës flet për interesat kombëtare, por 11 vite nuk bëri asgjë për negociatat me BE-në. Për 11 vite ishim të izoluar dhe pa miqë ndërkombëtarë” – tha Pendarovski.

Kandidatja presidenciale e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, ka ftuar rivalin e tij Pendarovskin në debat televiziv, ndërsa nga tubimi në Koçanë ka përcjellë mesazhin se është koha për Ilindenin e katërt.

“Mendoj se është koha për Ilindenin e katërt, për Republikën e katërt Maqedonase. Republikë nga poulli dhe për popullin. Republikë me standarde në të gjitha fushat dhe me administratë profesionale. Maqedoni ku në vendet e duhura do të gjenden më të mirët e jo të largohen. Një shtet I vërtetë. Vetëm atëherë do të na respektojnë” – tha Siljanovska.

Kandidati për president nga koalicioni VLEN, Arben Taravari në konferencë për media është prononcuar rreth reagimit të Prishtinës zyrtare në lidhje me planin 9 pikësh të OSBE-së.

“Kjo përpjekje e tij për të treguar se si ministër i jashtëm ka kontribuar edhe për stabilitetin në rajon, është një e vërtetë e hidhur për qytetarët e vendit tonë dhe shqiptarët kudo. Tani jemi në situatën ku themi fatmirësisht që ai plan nuk u pranua dhe nuk u realizua nga Qeveria e Kosovës” – deklaroi Taravari.

Pjesë të luftës hibride dhe gënjeshtra I ka quajtur Osmani deklarimet se si kryesues I OSBE-së ka kërkuar që Kosova mos e kontrollojë veriun. Sipas tij, OSBE-ja doli me një propozimin për largimin në distancë të dy palëve.

“Domethënë, ushtria serbe të tërhiqet dhe të ulë gatishmërinë, forcat speciale të Kosovës të tërhiqen më poshtë, kurse Veriun ta kontrollojnë forcat e rregullta të Kosovës. Është gënjeshtër që është kërkuar që Kosova të mos e kontrollojë Veriun. Por, të jenë forcat e rregullta, forcat speciale të largohen prej kufirit të forcave me Serbinë që të mos ndodh një kontakt sikur ajo që ndodhi në Banjskë për shembull dhe të eskalon” – tha Bujar Osmani.

Kandidatja presidenciale e “Levicës”, Biljana Vankovska, fushatën zgjedhore e ka vazhduar në Tetovë. Kreu i kësaj partie, Dimitar Apasiev, ka potencuar se është koha e fundit për t`i dhënë fund bdiizimit dhe shqiptarizimit të Maqedonisë, ku elitat politike maqedonase i quajti shërbëtorë të UÇK-së.

“Tetova më asocon në nevojën për ta thënë të vërtetën, për shkak se më shumë se 20 vite jetojmë pa e ditur se ku janë të dashurit tonë. Ne kemi vizion për një Maqedoni ndryshe. Kjo nuk është utopi e as përallë. Luftojmë dhe nuk dorëzohemi, nuk i ikim mejdanit” – tha Biljana Vankovska.

Kandidati presidencial I koalicionit që idhëhiqet nga partia “Grom”, Stevço Jakimovski është zotuar për të përforcuar pozicionet e vendit në NATO dhe që qytetarët e Maqedonisë së Veriut të respektohen nga Aleanca, SHBA-ja dhe BE-ja.

“Do ta bëjmë të qartë se jemi të gatshëm të presim deri në 2030 për hyrje në BE. Do t`i bëjmë reformat dhe nëse më 2030 nuk anëtarësohemi nuk do të heqim dorë nga rruga evropiane, por do ta kërkojmë rrugën tonë të zhvillimit, për investime të reja dhe hapjen e vendeve të punës” – deklaroi Jakimovski.

Karvani i kandidatit presidencial të Lëvizjes “Znam”, Maksim Dimitrievski, ka qëndruar në Ohër. Sipas tij, Maqedonisë I duhet një president që do të mbrojë interesat e qytetarëve.

“Me Manifestin për Maqedoninë ofrojmë një numër të madh të zgjidhjeve. Nuk do të mbeten vetëm fjalë në letër. Maqedonia do të ketë presidentin e qytetarëve që nuk do të jetë në funksion të subjekteve politike. Nuk do të nënshkruaj lige apo akte tjera që janë në kundërshtim me vullnetin e popullit. Do të vendos veton” – tha Dimitrievski.

Kandidatët presidencial kanë vazhduar fushatën edhe gjatë së hënës me karvanet dhe takimet me qytetarë por edhe me mitingje nëpër qytetet më të mëdha të vendit. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share