I ftuar në emisionin “On Time”, në Tv Koha, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, ka theksuar rëndësinë e gjuhës shqipe si element kyç në Marrëveshjen e Ohrit. Ai ka përmendur se gjuha shqipe nuk është thjesht një çështje e përfaqësimit prej 20%, por një e drejtë e garantuar nga marrëveshja që mbështet popullin mbi këtë prag.
Ahmeti ka shtuar se BDI-ja ka vendosur vijat e kuqe që nuk do të tërhiqen, duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespër, dhe Pavarësinë e Kosovës. Ai ka theksuar se vetingu do të jetë një kusht për partneritet në të ardhmen, duke kërkuar një proces të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht për spastrimin e rrjeteve politike dhe institucioneve të drejtësisë.
“Gjuha nuk është 20 përqind por është në Marrëveshje të Ohrit populli që është mbi 20 përqind. Gjuha është zyrtare dhe në ligjin që është miratuar në kllapa është gjuha shqipe. Ne i kemi bërë me dije vijat e kuqe, Marrëveshja e Ohrit është e pakontestueshme, po ashtu Marrëveshja e Prespër, Pavarësia e Kosovës, gjithashtu kusht nga ne për partneritet në të ardhmen do të jetë edhe vetingu.
E vendosim si kusht sepse sidomos në fushata nxehen llavat vullkanike në akuza, drejt partive që kanë drejtuar me shtetin dhe sidomos shënjestër e kësaj propagande është BDI-ja e cila ka fituar në të gjitha ciklet zgjedhore. Dhe për t’u dhënë fund këtyre propagandave, ne do ta vendosim vetingun, por veting me ndërmjetësim ndërkombëtarë d.m.th me specialistë të fushave të jurisprodencës nga Brukseli dhe Washingtoni. Që të bëhet një spastrim në të gjitha rrjetet dhe rradhët e politikanëve, prokurorëve, gjykatësve , dhe policisë. Ne këtë e kemi kërkuar dhe nuk do të tërhiqemi nga ky kusht, ne kemi kërkuar edhe ligj i cili që katër vite është duke u zverdhur në arkivat e parlamenitt, dhe nuk pranohet nga partitë politike që të vendoset në seancë dhe të fillohet nga materializimi praktik i vetingut, kuptohet me përfaqësues specilaistë vendor dhe ndërkombëtar”, tha Ahmeti.
Lideri i BDI-së ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Prokurori i Përgjithshëm që të hapet hetim për të gjithë anëtarët e BDI-së që nga viti 2002, duke e lidhur këtë kërkesë me mbështetjen e BDI-së për zgjedhjen e prokurorit. Ai ka theksuar nevojën për sundim të ligjit dhe një sistem juridik të mirëorganizuar si thelbësore në luftën kundër korrupsionit.
“Ne do të vazhdojmë të insitojmë në këtë çështje që mendojmë se është me rëndësi sepse asnjë parti politike e në veçanti BDI-ja si më e sulmuar që është t’i jepet fund këtij folklorizimi për pikë politike, për të fituar një copë pushteti por duke denigruar familje të tëra, dhe nuk bëjmë demagogji në ktë drejtim. Unë kam kërkuar nga Prokurori i përgjithshëm që të hapet hetim pët të gjithë anëtarët e BDI-së nga viti 2002. E kam kushtëzuar votën e BDI-së për prokurorin me hapjen e hetimeve për të gjithë funksionarët e BDI-së. Sepse pa sundim të ligjit pa një sistem juridik të mirëorganizuar nuk mund të jemi të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit”, tha Ahmeti./Indeks.mk