Rusia: Ukraina sulmoi Krimenë me 38 dronë

SULMET NË KRIME

Një tjetër sulm me dron ka tronditur Krimenë për të cilin Rusia akuzon Ukrainën. Zyrtarët rusë kanë deklaruar se Ukraina sulmojë me 38 dronë por nuk raportohet për dëme apo viktima. Ndërkaq Turqia shpreson se bisedimet për një armëpushim në Ukrainë do të fillojnë së shpejti.

Një seri shpërthimesh kanë tronditur Krimenë, pas një sulmi të raportuar me dron ukrainas në gadishull. Videot e postuara në internet tregojnë një shpërthim pranë një depoje karburanti në qytetin juglindor të Feodosiya.

Zyrtarët rusë thanë se 38 dronë ishin rrëzuar. Ministria ruse e mbrojtjes nuk tha nëse ka pasur dëme apo viktima. Ura e Kerçit që lidh Krimenë me Rusinë u mbyll përkohësisht. Sulmi vjen ndërsa Ukraina vazhdon t’u kërkojë aleatëve të rrisin furnizimet me armë.

Trupat ruse kohët e fundit kanë arritur fitore në Ukrainë, ndërsa Kievi përpiqet të mbajë forcat e tij me armë të prodhimit perëndimor. Nga ana e saj Ukraina ka goditur vazhdimisht flotën ruse të Detit të Zi. Muajin e kaluar, anija ruse “Caesar Kunikov” u fundos në brigjet e Krimesë, sipas forcave të armatosura të Ukrainës.

Mëngjesin e së dielës Rusia shënjestroi rajonin jugor të Khersonit, duke vrarë një person dhe duke plagosur tre të tjerë, sipas zyrtarëve ukrainas. Të shtunën, një dron rus goditi një bllok banesash në qytetin ukrainas të Odesa, duke vrarë të paktën 10 persona, duke përfshirë një fëmijë katër muajsh.

Ndërkaq Turqia shpreson se bisedimet për një armëpushim në Ukrainë do të fillojnë së shpejti. Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Jashtëm Hakan Fidan, në një forumi diplomatik në qytetin jugor të Antalisë.

Fidan u takua me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, të premten në Forumin e Diplomacisë në Antalia ku sipas tij është diskutuar edhe çështja e armëpushimit.

“Për çështjen e Ukrainës, pikëpamja jonë është se të dyja palët kanë arritur kufijtë e asaj që mund të marrin me luftë. Ne mendojmë se është koha për të filluar një dialog për një armëpushim. Kjo nuk do të thotë njohje e okupimit nga Rusia, por çështjet e sovranitetit dhe armëpushimit duhet të diskutohen veçmas” tha Fidan.

Ankaraja ka ofruar mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe ka shprehur mbështetje për integritetin e saj territorial, por gjithashtu kundërshton sanksionet ndaj Rusisë. /Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share