Berlinale 2024: Thirrje për armëpushim në Gaza

Ariun e Artë të Berlinales e fiton sërish një dokumentar. Bashkëprodhimi danezo-kosovar ikën me duar bosh.


Berlinalja, një ndër festivalët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të filmit, tregoi sërish se është më shumë se një platformë e artit kinematografik. Ajo shërben edhe si skenë për deklarata politike.

Kjo u duk qysh në hapjen e Berlinales më 15.02. kur të kapur për dore dhe me drita celularësh kineastë hynë në Berlinale Palast, në shenjë proteste kundër planeve të fshehta të partisë djathtiste gjermane, Alternativa për Gjermaninë për dëbimin e të huajve.

Në mbyllje tema kryesore ishte lufta në Gaza. Disa fitues kishin vënë në mënyrë demonstrative shallin e palestinezëve, ndërsa të tjerët kishin ngjtiur në veshje slogane që bënin thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, duke tërhequr vëmendjen ndaj urgjencës për paqe në rajon.

Ariun e Artë e fiton “Dahomey”

Sikurse edhe një vit më parë Ariun e Artë e fitoi sërish një film dokumentar, i regjisores franceze me perjardhje senegaleze, Mati Diop. 42-vjeçarja dokumenton kthimin e 26 eksponateve të rrëmbyera nga koha e kolonializmit, nga një muze i Paristi në Benin, dikur Dahomey. Një film kundër harresës së padrejtësive kolonialiste. Kthimi i artefakteve është drejtësi, tha Diop gjatë ceremonisë.

Një moment kulmor për kinemanë gjermane ishte nderimi i Matthias Glasner, i cili u shpall fitues i Arinjve të Argjendtë për skenarin më të mirë me filmin e tij “Sterben” (shqip: Vdekje). Në tri orë dhe me tri këndvështrime të ndryshme, Glasner shpalos një histori të ndërlikuar familjare.

Aktorët më të mirë: Sebastian Stan dhe Emily Watson

Sebastian Stan, i njohur për rolet e tij  në filmat e Marvel si “Captain America”, befasoi audiencën me një rol të pazakontë në “A Different Man” dhe u shpërblye me Ariun e Argjendtë si aktori më i mirë kryesor. Emily Watson u nderua si aktorja më e mirë në rol dytësor në “Small Things Like These”, një film që heton strukturat e pushtetit brenda një manastiri, në Irlandën e shekullit 19.

Çmimi i filmit dokumentar, dhuruar nga Sender Rundfunkf Berlin Brandenbrug, shkoi për “No Other Land”. Filmi është bërë nga një kolektiv palestinezo-izraelit dhe bën fjalë për shpërnguljen e palestinezëve në fshatrat Masafer Yatta, në jug të Hebronit në Bregun Perëndimor.

“No Other Land” fitoi edhe çmimin e publikut Panorama. Palestinezi Basel Adra, i cili ka lindur në Masafer Yatta, tha se ishte shumë e vështirë për të të festonte ndërsa “dhjetëra mijëra njerëz të mi po vriten në Gaza” dhe mori duartrokitje të forta.

Ai gjithashtu i bëri thirrje Gjermanisë që të ndalojë furnizimin me armë për Izraelin. Në fjalimin e tij, izraeliti Yuval Abraham bëri thirrje për t’i dhënë fund okupimit dhe një armëpushim në Gaza.

Bashkëprodhimi danezo-kosovar “Afterwar” pa çmim

Pa çmim mbeti dokumentari hibrid Afterwar, i regjisores daneze Birgitte Stærmose. Ai ishte i vetmi film i Berlinales ku flitej shqip, dhe u transmetua në kuadër të programit të kinematografisë autoriale, Panorama. “Afterwar“ (Pasluftë), tregon historinë e disa fëmijëve në Kosovën e pasluftës, prej vitit 1999 e deri më sot. Prodhimi danezo-kosovaro-suedezo-finlandez është vazhdim i dokumentarit “Out of love“, i cili u shfaq në Berlinale 2009 në kuadër të programit për të rinj “Generation”. /DW

Lexo gjithashtu
Total
0
Share