Osmani në takim me delegacionin parlamentar gjerman

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot ka pritur në takim delegacionin parlamentar gjerman, të kryesuar nga deputeti Josip Juratoviq, i cili është edhe kryetar i grupit parlamentar në Bundestagun gjerman për bashkëpunim me vendet e Europës Juglindore.

Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, veçanërisht në kuadër të mbështetjes së rëndësishme gjermane për integrimin europian të vendit tonë.

“E vlerësojmë lartë mbështetjen e vazhdueshme të Republikës Federale të Gjermanisë për procesin e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut, që është e një rëndësie të veçantë për stabilitetin e përgjithshëm rajonal dhe progresin e dukshëm”, theksoi Osmani, duke i informuar njëkohësisht bashkëbiseduesit për sfidat aktuale me të cilat po përballet vendi në rrugën e anëtarësimit të plotë në BE dhe përpjekjet e qeverisë për të siguruar një të ardhme europiane për vendin.

Parlamentarët gjermanë përshëndetën rolin konstruktiv të Maqedonisë së Veriut në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit europian, si kryesues i fundit i OSBE-së. Kontributi i vendit tonë në bashkëpunimin rajonal në drejtim të integrimit në BE u vlerësua pozitivisht, duke garantuar se mbështetja e Gjermanisë do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme.

Gjithashtu u shkëmbyen mendime për çështje aktuale të politikës së jashtme europiane dhe rajonale.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share