Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka uruar Kryeministrin e parë shqiptar Talat Xhaferi, duke theksuar se kjo është ditë historike për të gjithë komunitetin shqiptar në RMV.
“Sot shënon një moment historik të rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik” – shkruan Presidentja Osmani në rrjetet sociale.
Postin e Kryeministrit Talat Xhaferit ia ka uruar edhe Kryeparlamentari I Kosovës, Glauk Konjufca.
“Bërja e Z. Xhaferi kryeministër deri në realizimin e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut vjen si mundësi që pjesëmarrja dhe integrimi i plotë i shqiptarëve të vlerësohet si synim i pashmangshëm, aq sa edhe përparimtar, prej të cilit përfiton më së miri vetë Maqedonia e Veriut” – shkruan Konjufca në Facebook.
“Shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe ardhmërinë e RMV. Ky është rasti që ata të dëshmojnë se e shohin lidershipin vetëm në perspektivën e integrimit të RMV në BE” – shkruan presidenti shqiptar Bajram Begaj.
Kryeministri Edi Rama e konsideron një arritje historike që për herë të parë Maqedonia e Veriut do të ketë një Kryeministër shqiptar, edhe pse për pak kohë me mandatin e një qeverie tranzitore. Dhe këtë meritë, kreu i qeverisë shqiptare ia atribuon Ali Ahmetit, për të cilin thotë se ka bërë shumë për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Një fillimvit i mbarë për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, për vet shtetin dhe mbarë rajonin! Zgjedhja e Talat Xhaferit, si kryeministër i parë shqiptar në Maqedoninë Veriore përbën lajmin më të mirë për të ardhmen e shqiptarëve atje dhe për shtetin tonë fqinj – shkruan Ramush Haradinaj./KlanMacedonia