“Lista e zezë” amerikane do të bëhet pjesë e ligjeve të RMV-së!

Nga sot nis debati publik për ndryshime të ligjit për masa restriktive, me të cilët parashihet se edhe e ashtuquajtura “lista e zezë” amerikane do të jetë bazë ku persona të caktuar ose subjekte mund të gjenden në listën e sanksioneve të vendit. Nismëtar është Ministria e Jashtme.

Ideja është që funksionarët që do të auzohen për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kërcënimeve hibride ndaj shtetit t`u ndalohet të marrin pjesë në tenderë deri në plotfuqishmërinë e aktvendimit. Në lojë mbetet edhe konfiskimi i pronës.

“Propozojmë që me këto ndryshime të ligjit, të shtohen si bazë për vendosjen e masave restriktive nga ana e shtetit edhe aktet juridike të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Krahas kësaj, përpos Këshillit për Siguri dhe BE-së, tani edhe aktet juridike të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar janë bazë valide për vendosjen e masave restriktive” – ka deklaruar në një press-konferencë Ministri I Jashtëm, Bujar Osmani.

Viti 2023 ishte viti ku në “listën e zezë amerikane” u gjetën disa personalitete të njohura të politikës dhe biznesit.

Ish-Zv/Kryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, në dhjetor të vitit të kaluar u gjet në këtë listë, pasi Uashingtoni kishte konstatuar dëshmi të shumta për implikimin e tij në aktivitete korruptive.

Në nëntor 2023 biznesmenit Sergej Samsonenko, që vlerësohej I afërt me struktura të VMRO-DPMNE-së, si dhe familjes së tij, I ishte ndaluar hyrja në SHBA.

Në Korrik, Orce Kamçev u fut në “listë të zezë”, ku sipas Uashingtonit kishte keqpërdorur pozitën e tij me ndërmarrjen e aktiviteteve korruptive dhe zbatimin e agjendave për nevoja të tij në llogari të institucioneve demokratike të RMV-së.

Kryebashkiaku i Strugës, Ramiz Merko, në qershor 2023 është vënë në “listë të zezë” dhe I është ndaluar hyrja në SHBA për shkak të implikimit të tij në korrupsion të lartë.

Sipas paralajmërimeve të administratës amerikane, lista do të zgjerohet./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share