Republikanët gati të ngrenë akuza, Hunter Biden paraqitet papritur në komisionin e Kongresit

Hunter Biden bëri një vizitë të papritur të mërkurën në Kongresin amerikan, ndërsa republikanët po përgatiten për të ngritur akuza ndaj djalit të presidentit për mosrespektim të një thirrjeje për të dëshmuar.

Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen dhe ai Juridik do të votojnë secili lidhur me rezolutat kundër zotit Hunter Biden për mosrespektim të thirrjes për të dëshmuar, të cilat duken se do të rezultojnë në rekomandimin e Dhomës së Përfaqësuesve për akuza penale ndaj djalit të Presidentit Biden, ndërsa republikanët janë në fazat përfundimtare procesit për të vendosur nëse ka baza për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit.

Djali i presidentit u paraqit në seancën e Komisionit të Mbikëqyrjes i shoqëruar nga ekipi i tij ligjor, përfshirë avokatin Abbe Loëell.

Ky është hapi i fundit për hetimin i cili filloi në shtator. Deri më tani hetimi nuk ka arritur të gjejë prova që e përfshijnë presidentin drejtpërdrejt në shkelje.

Nëse komisionet miratojnë rezolutat për mosrespektim, siç edhe pritet, çështja do të shtrohet për shqyrtim para Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse dhoma e plotë miraton rezolutën kundër zotit Hunter Biden, Departamenti i Drejtësisë do të duhet të vendosë nëse do të ngrejë akuza penale ndaj tij.

Rekomandimi për ngritje akuzash do të shkaktonte një tjetër kokëçarje për prokurorët federalë, tashmë nën kritika të ashpra për mënyrën se si i trajtuan çështjet e zotit Hunter Biden lidhur me taksat dhe blerjen e armës.

Nëse Departamenti i Drejtësisë nuk ngre akuza, kjo do të shkaktonte kritika të tjera nga konservatorët se drejtësia amerikane është e politizuar, kryesisht duke patur parasysh se dy ish-këshilltarët e ish Presidentit Trump u ndoqën penalisht nga administrata e Presidentit Biden pasi nuk respektuan thirrjet e Kongresit për të dëshmuar. Por ndjekja e rasteve të tilla mund të jetë e vështirë.

Hunter Biden e ka mbrojtur veprimin e tij për mosrespektimin e thirrjes për të dëshmuar nga ligjvënësit republikanë, sipas të cilës ai duhej të paraqitej për të dëshmuar me dyer të mbyllura në muajin dhjetor.

Ai dhe avokatët e tij thanë se të dhënat nga seanca me dyer të mbyllura mund të rrjedhin dhe të manipulohen nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe këmbëngulën se ai do të dëshmonte vetëm në një seancë publike.

“Është e qartë se udhëheqësit republikanë nuk janë të interesuar për faktet ose ata do ta lejonin Hunterin që të dëshmojë në një seancë publike”, tha avokati Lowell të premten përmes një deklarate.

“Nga ana tjetër, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve vazhdojnë të bëjnë lojëra politike duke kërkuar mocion të paprecedentë për mosrespektim të thirrjes ndaj dikujt që qysh në fillim ka ofruar t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të tyre”. Avokati shtroi pyetjen: “Pse kanë frikë?”

“Nuk ka asnjë provë që mbështet pretendimet se babai im ishte i përfshirë financiarisht në biznesin tim sepse kjo nuk është e vërtetë”, tha djali i presidentit.

“Nuk ka drejtësi apo etikë në atë që po bëjnë këta republikanë. Ata kanë gënjyer vazhdimisht për çdo aspekt të jetës time personale dhe profesionale, aq sa gënjeshtrat e tyre kanë bërë fakte të rreme që të besohen nga shumë njerëz”.

“Sfidimi flagrant nga ana e zotit Biden i fletëthirrjeve të komisioneve, ndërsa zgjodhi të mbante një konference shtypi në ambjentet e Kongresit për të lexuar një deklaratë të parapërgatitur për të njëjtat çështje, është mosrespektim dhe ai duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij të paligjshme”, thuhet në rezolutën e lëshuar nga republikanët të hënën.

Megjithëse republikanët thonë se hetimi i tyre është i përqendruar tek presidenti, ata i kanë kushtuar vëmendje të veçantë të birit të tij Hunter dhe marrëdhënieve të tij të biznesit jashtë vendit, duke shtruar pyetjen nëse presidenti ka përfituar nga këto marrëdhënie.

“Përveç ndoshta Presidentit Biden, zoti Biden (Hunter) është dëshmitari më i rëndësishëm përsa u takon informacioneve për përfshirjen e mundshme të Presidentit Biden në marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij”, thuhet në dokumentin ku republikanët akuzojnë të birin e presidentit.

Republikanët e kanë përqendruar gjithashtu një pjesë të madhe të hetimit të tyre tek akuzat e sinjalizuesve se ka pasur ndërhyrje politike në hetimin e Departamentit të Drejtësisë ndaj Hunter Bidenit.

Votimet në komisione të mërkurën për mosrespektim të Kongresit bëhen një ditë përpara paraqitjes së planifikuar të djalit të presidentit në gjykatë për akuzat për shkelje me taksat, të ngritura nga një prokuror i posaçëm në Los Anxhelos.

Hunter Biden përballet me tre vepra penale dhe gjashtë akuza për shkelje, përfshirë deklarim të rremë, evazion fiskal dhe mospagim taksash.

Avokati i tij ka akuzuar prokurorin e posaçëm David Weiss i cili ka vite që e ndjek këtë çështje, se i ka ngritur akuzat “nën presionin e republikanëve”. /VOA

Lexo gjithashtu
Total
0
Share