DUHET KUJDES EDHE NGA DISKRIMINIMI POZITIV
Pavarësisht progresit të konsiderueshëm, pabarazia gjinore në pozitat udhëheqëse vazhdon të jetë relevente në Maqedoninë e Veriut. Hulumtimet e bëra nga institucionet ndërkombëtare thonë se mbi 80% ndihen të diskriminuara në ambientin e punës në një formë apo tjetër. Zëvendësministrja e Bujqësisë Vjollca Berisha tregon se për mungesën e grave në pozita udhëheqëse ndër faktorët e shumtë është edhe mungesa e hapësirës.
“Gratë druajnë ndonjëherë të merren edhe me politikë. Shumë herë për shkak se e kanë pak ndoshta edhe linçimin publik e kanë frikë. Linçimi publik u bëhet të gjithë politikanëve pa përjashtim. Por tek gruaja sikur është fjalori më i shfrenuar, zakonisht preket në moral. Dhe asnjë grua qoftë ajo që është nënë, qoftë ajo që nuk është nënë është bija e dikujt, nuk e ka ndoshta fuqinë e brendshme që të përballohet me ato”, tha Vjollca Berisha.
Ajo shton se numri i funksionareve gra në Maqedoninë e Veriut lë shumë për të deshiruar por nga ana tjetër duhet të hiqet edhe “diskriminimi pozitiv”. Kjo ngase tashmë kemi më shumë mundësi për të zgjedhur gra të zonja dhe kompetente, e jo të vendosim dike në një pozitë vetëm sepse është grua. Sipas gazetares Elida Zylbeari dy çështje janë problem kryesor: Fryma e edukimit të vajzave gjate rritjes dhe gratë të cilat nuk janë të orientuara në pozita dhe nuk u jepet mundësia.
“Puna jonë është më e vështirë sepse sa më lartë të jesh aq më shumë pengesa ke. Edhe pse je femër nuk të marrin seriozisht apo nuk të dëgjojnë deri në fund sepse duhet të jesh shumë e zëshme, duhet të jesh më insistuese dhe më punëtore edhe pse ne jemi parimisht por duhet ta tregosh me njëfarë mënyre me “dhunë” me insistim më të madh që në një farë mënyre të dëshmohet vlera në shoqëri”, tha Elida Zylbeari.
Studimet për gratë udhëheqëse, tregojnë se ata, në të shumtën e rasteve vendosin të mos marrin pozita menaxhuese vetëm për shkak të pasigurisë se a do mund të balancojnë punën me jetën private./KlanMacedonia