SHESHI I SHKUPIT PËRPLOT ME QYTETARË TË VENDIT DHE TURISTË NGA JASHTË
Në natën e ndërrimit të moteve, të gjitha rrugët çonin drejt sheshit të Shkupit.
Autoritetet e Qytetit të Shkupit në bashkëpunim me Odën e Industrisë së Muzikës, kishin vendoisur që në natën më të hareshme të vitit, shkupjanët por edhe mysafirët tjerë, t`i argëtojnë vetëm artistë e këngëtarë vendor.
Sllatkar, Dario, Suzana Gavazova, Vlatko Miladinovski, Stojne Nikolova, Bllaga Petreska, Dushko Georgievski ishin disa nga emrat që performuan në sheshin e Shkupit.
Këtë vit, nga sheshi I Shkupit nuk jehoi kënga dhe melodia shqipe, për shkak se organizatorët nuk kishin ftuar asnjë artist apo këngëtar shqiptarë.
“Na ndajnë vetëm edhe disa minuta nga ndërrimi i viteve, e vitin 2024 shumë qytetarë dhe të huaj kanë vendosur që ta presin në Sheshin e Shkupit i cili tani në këtë orë është edhe me koncert nga këngëtarë të ndryshëm”, tha gazetarja, Neal Sejfulla.
Përkundër vendimit të Qytetit të Shkupit që të mos ketë fishekzjarre në momentin e nisjes së vitit të ri, qytetarët me vetorganizim dhuruan një spektakël.
Në rajonin e Shkupit pati dhjetëra fishekzjarre. Nga njëra dhe hyrja tjetër e qytetit, viti I ri u prit me mjete piroteknike. Për shkak të mjegullës dhe ajrit të ndotur ky spektakël nuk është vërejtur sic duhet.
Në Shkup pati eufori me rastin e Vitit të Ri. Shumë qytetarë ishin në sheshin e kryeqendrës, kurse festa ka vazhduar deri në orët e hershme të mëngjesit./KlanMacedonia