Kreu i LD-së, Izet Mexhiti përmes një kumtese ka uruar vitin e ri 2024, duke thënë se ky vit do të sjell ndryshimin e shumëpritur.
Të nderuar qytetarë, Të nderuar anëtarë të Lëvizjes Demokratike
Vitin që po e lëmë pas, ishte një vit shumë i vështirë. Bashkërisht ishin dëshmitarë të vështirësive ekonomike, sociale, arsimore. Ishim dëshmitarë të fuqizimit të korrupsionit dhe krizës së madhe në sundimin e ligjit. Ishim dëshmitarë të kapjes së shteti nga një grusht njerëzish, të cilët mendojnë vetëm për vete. Ndaj, ishte e pashmangshme nevoja për një ndërgjegjësim, sidomos të shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Para një grupi të vogël që mendonte ndryshe, u imponua një dilemë esenciale: të pajtohem me realitetin e keq apo të fillojmë të mendojmë për ndryshimin. Dhe lindi Lëvizja Demokratike, që përcaktoi një synim të qartë: ta kthejmë shpresën dhe të krijojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë. Viti 2023 do të mbahet në mend si vit i dështimit të plotë të garniturës aktuale qeverisëse, edhe atë në çdo aspekt. Pavarësisht premtimeve të ndryshme, dështimi u pa si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm.
Nuk u realizua asnjë premtim për mirëqenie shëndetësore, sociale e ekonomike. Përkundrazi. Edhe më shumë u përkeqësua gjendja në arsim, sidomos arsimi në gjuhën shqipe.
Fatkeqësisht, ministrat shqiptarë më shumë u angazhuan për zhvatjen e tenderëve, për jetësimin e lojërave të fatit dhe hapjen e pikave të kredive të shpejta, të cilat shkatërruan shumë fate njerëzish.
U pa qartë se po errësohej perspektiva e të rinjve, të cilët me të madhe kërkuan shpëtim në shtetet perëndimore. Ikën edhe mijëra familje, kurse kjo u reflektua në pakësimin drastik të numrit të nxënësve shqiptarë.
Ndonëse akoma zëra nga BDI proklamojnë se shqiptarët po e përjetojnë parajsën, megjithatë, ne patëm kurajon t’i detektojmë të gjitha problemet, por edhe të ofrojmë zgjidhje. Politika e Lëvizjes Demokratike është e orientuar thjesht drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe krijimit të një mjedisi më të ndershëm dhe më të pasur për të gjithë.
Të nderuar, bashkëqytetarë,
Viti që vjen do të jetë vit i zgjedhjeve të reja parlamentare, do të jetë viti i ndryshimit. Por, një ndryshim i vërtetë kërkon përpjekje të përbashkëta, kërkon pjesëmarrje aktive të të gjithëve jo vetëm për të sjellë ndryshimin, por edhe për ta ngjallur shpresën.
Lëvizja Demokratike gjithnjë e më shumë po fuqizohet. Tash jemi një grup i madh, në të cilin janë përfshirë shumë të rinj që mendojnë ndryshe, që e dinë të vërtetën. Ju inkurajoj të na bashkoheni për t’i dhënë fund keqqeverisjes dhe krijimit të kushteve për një jetë me dinjitet.
Me besim te bashkëpunimi dhe me shpresë për një të ardhme më të mirë, gëzuar Vitin e Ri 2024. Faleminderit për mbështetjen tuaj dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm” – shkruan Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike