MICKOSKI: BËHET FJALË PËR FOLKLOR PARAZGJEDHOR
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski kërkon që të sqarohet roli i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet që do të mbahen në vend vitin e ardhshëm. I pyetur rreth paralajmërimeve të opozitës shqiptare rreth aktivizimit të Vetëvendosjes në zgjedhjet në vend, Kovaçevski tha se nuk është problematike mbështetja e ofruar, megjithatë modeli i prezantuar dje nga Lidhja Evropiane për Ndryshim nuk ishte i qartë.
“Duhet të shihet ligji për parti politike, ligji për zgjedhje. Normalisht se, partitë simotra mund të mbështesin njëra tjetrën sepse ne kemi mbështetje nga partitë sociale nga bota dhe rajoni, megjithatë modeli për të cilin folën nuk mund të ishte i qartë në një deklaratë që u dha dhe ajo duhet të risqarohet. Sepse, nëse nisin partitë nga vende fqinje të marrin pjesë në zgjedhje këtu, mund ta paramendoni se si do të jetë nëse vijnë edhe nga vendet e tjera fqinje nëse vijnë të marrin pjesë këtu në zgjedhje” – tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së.
Ndërkohë, lideri i VMRO – DPMNE-së, Hristijan Micksoki e ka cilësuar këtë zhvillim si folklor parazgjedhor. Megjithatë ai tha se, kjo nuk ndryshon pozicionin e tij se në rast se fitojnë zgjedhjet, të bëjnë koalicion me opozitën shqiptare.
“Ai është vendim i atyre që i kanë zgjedhur. Supozoj se ata njerëz për të qenë pjesë e listave, duhet të jenë me nënshtetësi maqedonase, të jenë qytetarë të Maqedonisë, t’i respektojnë normat ligjore dhe kushtetuese. Kështu që, ndoshta mund t’i pyesni ata njerëz që i kanë përfshirë ata njerëz se, cili dhe çfarë ka qenë qëllimi i tyre” – tha Hristijan Mickoski, VMRO – DPMNE.
Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhit deklaroi të dielën gjatë hapjes së zyrës së përbashkët të Lidhjes Evropiane për Ndryshim se, frontit opozitar i është bashkangjitur edhe Lëvizja VETËVENDOSJE. Në emër të partisë së Albin Kurtit në skenë u shfaq Bekim Qoku, që është këshilltar i kreut të VETËVËNDOSJES. Ai tha se Lëvizja VETËVENDOSJE po bëhet shtylla e katërt e këtij fronti opozitar. Qoku është këshilltar i jashtëm i kryeministrit të Kosovës për raportet me Maqedoninë e Veriut. Ndërkaq, në të kaluar ka qenë i kyçur në skenën politike të vendin dhe gjatë një periudhe ka qenë edhe deputet i PDSH-së. /KlanMacedonia/