Aksion i Lidhjes Evropiane për Ndryshim: Përparim Bajrami – kryetar i ri i Forumit Rinor të Lotarisë!

Me maska të krerëve dhe funksionarëve të BDI-së, të rinjtë nga partitë opozitare shqiptare, Lëvizja Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratike kanë organizuar një aksion simbolik para Ministrisë për Sistem Politik, që drejtohet nga zëvendëskryeministri Artan Grubi, përcjell KlanM. Cak i aksionit ishte Lotaria e Maqedonisë dhe drejtori i saj, Përparim Bajrami.

Nga Lidhja Evropiane për Ndryshim vazhdimisht akuzojnë BDI-në dhe në veçanti Artan Grubin, që sipas tyre, ka mbushur vendin me kazino dhe bastore, ndërsa personi përmes të cilit po zhvillohet biznesi i kazinove dhe bastoreve, sipas LEN, është Përparim Bajrami, drejtor i Lotarisë.

Ky i fundit, nga të rinjtë e LEN u shpall “Kryetar i Forumit Rinor të Lotarisë”.

“Të nderuara media, sidomos ju 10 portalet e katit 6 të zyrës time, Të nderuar përfaqësues të organizatave joqeveritare, e sidomos ju 33 organizatat e mia që do merrni nga 10.000 euro, jemi mbledh sot ta zgjedhim kryetarin e forumit rinor, të lutem Përparim Bajrami dil dhe prezanto programin tënd 4 vjeçar për kryetar të forumit rinor”, ironizoi njëri nga të rinjtë e LEN që mbante maskën e Artan Grubit.

Ndërkaq, si premtim të Përparim Bajramit, të rinjtë e LEN e veçuan simbolikisht se “Maqedonia do të bëhet Las Vegas”.

“Në programin tim për kryetar të Forumit Rinor të BDI-së, premtoj aparat të kazinove për çdo të ri, por nuk ndalemi këtu, secili i ri që do të luajë, dorën e parë e ka të garantuar nga ne. Jam falënderues që e keni zgjedhur Lotarinë e Maqedonisë t’ja jepni forumit rinor sepse e dimë që Agjencia për Rini dhe Sport dhe institucionet e ngjashme nuk na interesojnë neve, nuk janë aspak profitabile dhe nuk mund të sigurojmë të ardhura të mjaftueshme. Rinia jonë ka nevojë për loto dhe kazino. Ne premtojmë hapje të kazinove afër çdo universiteti, afër çdo shkolle të mesme, por prapë nuk ndalemi këtu, në çdo shtëpi do e sjellim kazinonë, në shkollat fillore do të shtojmë lëndë të re – bazat e pokerit”, tha i riu me maskën e drejtorit të Lotarisë./KlanMacedonia

Lexo gjithashtu
Total
0
Share