Presidenti i ‘shqiptarëve’ në Turqi tërheq ekipin nga fusha dhe braktis ndeshjen, lojtarët i luten në gjunjë (VIDEO)

Superliga e Turqisë në futboll vijon të prodhojë çudira. Nëse pak ditë më parë grushti i presidentit të Ankaragucu ndaj arbitrit bëri xhiron e botës dhe për këtë u morën masa, edhe sot nga Stambolli vijnë “habere” jo të mira në futboll.

Për ndeshjen e javës së 17-të mes Istanbulspor dhe Trabzonspor, presidenti i vendasve Ecmel Faik Sarialioglu tërhoqi ekipin nga fusha në minutën e 74, pasi goli i Trabzonpsor në minutën e 68 (Onuachu për 1-2) u quajt i rregullt nga VAR.

Istanbulspor, në radhët e të cilës aktivizohen disa futbollistë shqiptarë si Rroca, Et’hemi dhe Loshaj apo edhe ish-kapiteni i Egnatias, Jackson, nuk mundën të mbyllnin ndeshjen si shenjë revolte e kreut të klubit për vendimet e arbitrave.

Futbollistët e Istanbulspor bënë përpjekje intensive për të ndryshuar idenë e presidentit nga vendimi i tij, me disa që iu lutën edhe në gjunjë. Disa lojtarë nuk u larguan nga fusha, teksa trajneri Hakan Yakan dhe disa lojtarë u përpoqën të bindin presidentin në dhomën e zhveshjes.

Ndërsa gjyqtari Ali Sansalan vazhdonte të priste në mes të fushës, kapiteni i Istanbulsporit, Mehmet Yesil u kthye në fushë nga dhoma e zhveshjes dhe deklaroi se nuk do të dilnin të vijonin lojën.

Më pas lojtarët e Trabzonspor dhe gjyqtarët e ndeshjes u larguan nga fusha. Vendimin përfundimtar në lidhje me ngjarjet e ndodhura do të merret nga Federata Turke e Futbollit, me Trabzonspor që kryesonte 1-2 në Stamboll.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share