Sukses domethënës për të gjithë kombin dhe popullin tonë”, e cilësoi kryeministri Edi Rama kualifikimin e kombëtares shqiptare të futbollit në Euro 2024. I pranishëm në Mbrëmjen e Yjeve të Sportit 2023, kreu i qeverisë shqiptare tha se kjo tregon se kur një grup njerëzish “me dhunti, dëshirë dhe mbi të gjitha me përkushtim për të bërë çdo sakrificë për të arritur qëllimin e përbashkët dhe natyrisht me mirëorganizim dhe drejtimin e duhur, nuk i pengon dot asgjë”.
Në fjalën e tij, Rama theksoi mes të tjerash se shpërblimet për sportistët shqiptarë që sjellin medalje në vendin tonë janë ndër më të lartat në Europë.
“…të gjithë sportistët të cilët arrijnë rezultate shpërblehen dhe përfshihen në një sistem i cili siguron që edhe pasi përfundimit të aktivitetit sportiv të gjithë këta kampionë kanë një vend të nderuar në shoqëri. Duke u përfshirë në FA, në Forcat e Sigurisë, duke pasur grada të larta, që natyrisht nga një anë janë simbolike sepse nuk ushtrojnë veprimtari kolonelësh etj, por aq sa janë simbolike janë të përputhura edhe me një pagë të sigurt gjithë jetën dhe me pensionin përkatës që vjen pas pagës. Pa llogaritur edhe një fakt tjetër që shpërblimet për sportistët tanë që sjellin medalje në vendin tonë janë ndër më të lartat në Europë. Vetëm kështu ne kemi bërë të mundur të ndalojmë largimin e sportistëve dhe madje, të kemi sportistë që vijnë nga vendet tjera dhe jo vetëm nga lindja, por dhe perëndimi, për të konkurruar me flamurin shqiptar duke u bërë shtetas shqiptarë”.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri kishte një falenderim të veçantë për presidentin e Komitetit Olimpik Europian, i cili ishte i pranishëm në sallë. Mes batutave, Rama zbuloi gjithashtu dëshirën që trajneri i kombëtares, Sylvinho, të marrë nënshtetësinë shqiptare, diçka që siç tha, braziliani e ka pranuar me kënaqësi.
“Dua t’i bëj një falenderim shumë të posaçëm presidentit të Komitetit Olimpik Europian, i cili na nderon sot me praninë e tij, së bashku me sekretarin e përgjithshëm. Rastësia e do që njëri të jetë grek, tjetri italian, kështu që, grek, italian, shqiptar, jemi në një familje. Kemi dhe një brazilian për të mos prishur syrin e keq. Por nëse grekun dhe italianin do ta lemë siç janë, brazilianin do ta bëjmë shqiptar, se e kemi ndarë mendjen bashkë me presidentin e federatës, por edhe ai e ka pranuar me kënaqësi të marrë edhe nënshtetësinë shqiptare”.
Yjet e sportit shqiptar u nderuan me çmime të veçanta në mbrëmjen gala të organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dedikuar sportistëve dhe trajnerëve më të mirë të 2 viteve të fundit, të cilët kanë bërë krenarë Shqipërinë me rezultatet e tyre të larta në arenën ndërkombëtare. Trajnerit Sylvinho trofeun e vlerësimit nga Komiteti Olimpik Shqiptar ia dorëzoi Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al