Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, sot ka vizituar ASHAM, ku ka marrë pjesë në prezantimin e pajisjeve të reja për testimin gjenetik në kuadër të projektit, “Përmirësimi i kapaciteteve të Qendrës Kombëtare të Gjenomikës dhe Proteomikës pranë Qendra Kërkimore për Inxhinierinë Gjenetike dhe Bioteknologji (QKIGJB)- Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) në fushën e mjekësisë së personalizuar”.
Në vijim ju përcjellim fjalimin e tij në plotë:
“Sot hapim një faqe të re nga sfera shkencore, arsimore, shëndetësore. Aparatura e re për testimin gjenetik në ASHAM si dhe zbatimi i projektit “Përmirësimi i kapaciteteve të Qendrës Kombëtare të Gjenomikës dhe Proteomikës” në institucionin tonë më të madh shkencor është vetëm një tregues se si Qeveri jemi të përkushtuar në
investime serioze dhe për progres në fushën e projekteve kërkimore-shkencore, si dhe në sistemin shëndetësor, të cilin ne përpiqemi ta bëjmë bashkëkohor, cilësor dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët tanë.
Ky institucion së bashku me ekspertët e tij eminentë, me ndihmën e kësaj pajisjeje të re, do të forcojë ndjeshëm punën dhe do të kontribuojë në një përparim të madh në funksionimin e ASHAM-it. Tani me ndihmën e pajisjeve më bashkëkohore dhe më të sofistikuara, rezultatet e hulumtimit të kryer do të jenë gati brenda një dite, gjë që ngre ndjeshëm cilësinë e punës së Akademisë.
Qendra Kërkimore e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) është institucioni më i madh dhe më domethënës në vend në fushën e gjenetikës molekulare që ka marrë njohje të gjerë ndërkombëtare.
ASHAM dhe Ministria e Shëndetësisë kanë bashkëpunim të ngushtë në shumë fusha të rëndësishme të mjekësisë. Me rëndësi të madhe për pacientët tanë është mundësia e diagnostikimit me sekuencë gjenesh të sëmundjeve trashëgimore dhe malinje, përfshirë sëmundjet e rralla në laboratorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Gjithashtu, ASHAM ka bashkëpunuar çdo ditë me Ministrinë e Shëndetësisë, me institucionet tona shëndetësore dhe ka investuar si në aspektin shkencor ashtu edhe në kërkimin shkencor gjatë krizës së Covid-19.
Akademia për sektorin e shëndetësisë kontribuon dhe ndihmon në zbulimin e hershëm të sëmundjeve, që për ne mjekët do të thotë mundësi për një reagim më të shpejtë sa i përket metodave të trajtimit.
Jam krenar që investojmë në segmentet më të nevojshme të jetës shoqërore – shkencën dhe mjekësinë, në të mirë të qytetarëve dhe pacientëve tanë.” – tha Fatmir Mexhiti.