Çrregullimi i rrallë, 5 anëtarët e familjes me të njëjtin deformim në fytyrë

3 motra dhe 2 vëllezër janë etiketuar si “alienë” për shkak të një çrregullimi misterioz që i bën fytyrat e tyre të kenë tipare të pazakonta.

Mjekët nuk kanë një përgjigje pse sytë e tyre janë shumë larg njëri-tjetrit, mollëzat gjigande, hunda e shtypur dhe dhëmbët e çrregullt.

Isaias, Graciosa, Preciosa, Antonio dhe Miguelina Bautista vuajnë nga ky çrregullim, por jo 7 motrat dhe vëllezërit e tyre. Që prej fëmijërisë ata janë tallur nga të tjerët, u janë vënë pseudonime e madje janë quajtur edhe alienë.

“Në një moment, nisëm ta besonim”, thotë Isaias. “Njerëzit thoshin që ishim jashtëtokësorë. Më vonë, gjetëm njerëz të mirë që na thanë ‘jo, jeni qenie njerëzore’.”

Veç pamjes, ata kanë vazhdimisht dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje, marrje mendsh dhe dhimbje trupi. 5 fëmijët jetojnë në një familje të varfër në Jinova de San Juan në Republikën Domenikane dhe nuk kanë mundur të gjejnë punë pasi diskriminohen prej pamjes.

Ata nuk janë diagnostikuar, por mjekët dyshojnë se është leontiasis edhe pse ende nuk kanë një përgjigje përfundimtare. Leontiasis quhet ndryshe sindroma e fytyrës së luanit dhe ka të bëjë me rritjen jashtë normales të kockave të kafkës dhe fytyrës.

Sipas neurologut Franly Vazquez, janë raportuar më pak se 40 raste në të gjithë botën. “Pacientët kanë grumbullim të kalciumit në kockat që formojnë kafkën dhe fytyrën”, shpjegon ai.

Rritja e kockave mund të shtypë nervat dhe të shkaktojë verbëri, probleme me dëgjimin, çrregullime të zhvillimit dhe ndërlikime të tjera. Çrregullimi mund të trajtohet vetëm duke hequr pjesërisht ose tërësisht kockën nëse është e mundur./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share