Memeti: Mos takimi Blinken – Lavrov sinjal jo i mirë!
Shmangia e takimit mes Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe Ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov, të cilët qëndruan në Shkup për Samitin e OSBE-së, sipas analistit Ibrahim Memeti, është sinjal se negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë janë ende larg.
Por përpos kësaj, Memeti gjatë emisioni Klan Debat tha se ky mos takim, nuk është sinjal i mirë duke pasur parasysh trazirat që po ndodhin nëpër botë si dhe paralajmërimet se Ballkani mund të jetë vatër e ardhshme.
“Ky mostakim është i rëndësishëm. Edhe lufta e mundshme për Taivanin, Izraeli – Palestina, pozicioni i Kinës, Ukraina, Ballkani – se ne tani dëgjojmë çdo ditë paralajmërimet se Ballkani mund të jetë një vatër e ardhshme dhe vakti se kjo konferencë u mbajt në Maqedoni dhe fakti që këto nuk u takuan kjo nuk është shenjë bash e mirë nga kjo perspektivë, por të shpresojmë se nuk ka të bëjë direkt me Ballkanin por se, është më tepër për luftën në Ukrainë dhe konfliktet tjera”, deklaroi analisti Ibrahim Memeti.
Ndërkaq, analisti Albert Musliu, tha se, Lavrovit i është vënë parasysh pozita në të cilën është Rusia. Do të thotë, sipas tij, ka pasur injorim të fjalimit të tij dhe ka pasur largim gjatë fjalimit të tij.
“Lavrovin, ne që e shikojmë politikën e jashtme më gjatë, ai ka një historiat, mund të thuash prej në shkollë të mesme është diplomat, është arrogant, atë arrogancë e humbi. Dmth u pru në situatë shteti rus ta lus Maqedoninë, t’i hiqet ndalesa për ulje të aeroplanit e kështu me radhë, nuk e ka pasur atë arrogancën karakteristike të cilën e ka pas para dy vjet e dy dekada para asaj”, tha analisti Albert Musliu.
Analistët kanë përshëndetur organizimin e këshillit ministror në vend, duke thënë se një ngjarje e këtillë për një shtet të vogël si Maqedonia e Veriut, me resurset që i ka dhe konstelacionin politik që e ka brenda, e vendos atë në hartën botërore të diplomacisë./KlanMacedonia