Në Maqedoni lulëzon krimi, korrupsioni dhe varfërimi i qytetarëve, sipas Bilall Kasamit të Lëvizjes Besa. Në tubimin e LEN-in në Tetovë, Kasami arsyetoi bashkimin e tre partive opozitare si kërkesë dhe nevojë e qytetarëve, të cilët sipas tij, kërkojnë ndryshim, barazi të plotë, përcjell KlanM. Kasami shtoi se ky koalicion do të angazhohet që të arrihet barazia e qytetarëve dhe jo e bizneseve të politikanëve të korruptuar.
“Ne jemi dëshmitarë se sot udhëheqësit aktualë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut detyrojnë rininë që të braktisin vendin dhe të kërkojnë jetë më të mirë jashtë kufijve. Por këtij kanceri politik të shqiptarëve, urgjentisht duhet t’i jepet fund. Një herë e përgjithsmonë. Prandaj, e them me bindjen më të lartë se Lidhja jonë është besë e dhënë, që krijon mundësi për ndryshime evropiane. Në këtë moment kur në RMV krimi dhe korrupsioni kanë dalur prej kontrolli, sistemi gjyqësor është pronë e pushtetit, arsimi i shkatërruar, shëndetësia e lënë pas dore, ndërsa rinia e pasigurt dhe në mënyrë masive po braktis vendin, ne u bashkuam, për t’i dhënë fund këtyre, për t’u bërë zëri i qytetarëve që e padurim presin ndryshimin. Vetëm të bashkuar mund të luftojmë të gjitha fenomenet e lartëpërmendura anti-qytetare dhe anti-evropiane”, tha mes tjerash Bilall kasami,./KlanMacedonia